Lajme Shqip Wednesday, 23 May 2012 09:00

Prishtinë – Aktivistët e Organizatës Studentore “Studim, Kritikë, Veprim “, kanë dorëzuar në Prokurorinë Publike Komunale të Prishtinës një sërë dokumentesh që, sipas tyre, paraqesin parregullsitë e shumta në Universitetin e Prishtinës.

Sipas aktivistëve Alisa Hasani dhe Rron Gjinovci, këto dokumente mund të përbëjnë material të mjaftueshëm për hetim nga prokurorët. Aktivistët thonë se në dokumentet e dorëzuara shihen qartë parregullsitë e kontratave dhe të vendimeve, të cilat janë nënshkruar nga rektori Mujë Rugova, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës dhe Ministria e Arsimit.

Aktivistët kanë bërë thirrje që kompetencat e Këshillit Drejtues t’i kthehen Senatit të UP-së dhe këshillave të fakulteteve. Sipas tyre, Universiteti i Prishtinës duhet të çlirohet nga klanet politike, që po e mbërthejnë për përfitime financiare dhe t’u kthehet studentëve dhe shoqërisë kosovare.

Aktivistët gjithashtu i kanë bërë thirrje edhe Kuvendit të Kosovës që të mos e pranojë Projektstatutin e ri të UP-së dhe ta kthejë  mbrapsht për rirregullim dhe për ndarje të drejtë të kompetencave në universitet. (LajmeShqip.com)