Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 08:55

Tiranë – Qyteti i Tiranës, qëndra më e madhe universitare në vend, duhet të ketë një vizion tjetër për zhvillimin e universiteteve dhe mbështetjen e studentëve.

Prof. Dr. Valentina Duka, historiane dhe drejtuese e departamentit të Historisë në Universitetin e Tiranës, e cilëson të domosdoshme bashkëpunimin mes qeverisë vendore dhe universiteteve.

Duke qënë njohëse e mirë e historisë së kryeqytetit, ajo gjykon se kryetari i ardhshëm i bashkisë së kryeqytetit, që do të zgjidhet më 8 maj, “duhet ta konsiderojë dhe vlerësojë më shumë mendimin intelektual, sidomos atë akademik  të qytetit”.

Ajo sugjeron që pranë kryetarit të Bashkisë së Tiranës të krijohet dhe funksionojë një organ këshillimor i përbërë nga figura të shquara të qytetit, që të shërbejnë si një gjenertor i fuqishëm idesh për politikat e qeverisë vendore, me qëllim që ato të jenë sa më afër qytetarit.

“Tirana duhet të ketë një angazhim për zhvillimin dhe mbështetjen e universiteteve. Për këtë Bashkia e Tiranës duhet të nënshkruajë një marrëveshje dobiprurëse”, tha Duka, duke argumentuar se ky bashkëpunim do të ndihmojë bashkinë në nivel ekspertesh dhe do t’i ofrojë punë vullnetare studentëve.

Në shërbim të qytetit, Bashkia e Tiranës do të ndihmonte financiarisht për infrastrukturën e universiteteve, por edhe me projekte akademike që ndihmojnë në zhvillimin ekonomiko-urbanistik dhe kulturoro- turistik të qytetit.

“Duhet të kthehen në traditë takimet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës me komunitetin akademiko-studentor, ku të ndahen ide për menaxhimin e mirë të Tiranës”, theksoi Duka, duke kërkuar që qeveria vendore në të ardhmen duhet të mbështesë më shumë iniciativat e universiteteve.