Lajme Shqip Wednesday, 18 December 2013 16:02

Ulet me 70 ditë dënimi i Dritan Minxollit, ish-drejtorit të fabrikës së demontimit të municioneve në fshatin Gërdec. Vendimi për uljen e dënimit të Minxollit, është marrë dy ditë më parë nga gjyqtarja Ardiana Bera, e cila vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e Minxollit, për uljen e ditëve të qëndrimit në burg. Kërkesa që mban numrin 1844 është rregjistruar në sekretarinë e gjykatës në datën 25 nënëtor të këtij viti, ndërkohë që 20 ditë pas kësaj kërkese gjykata e Tiranës, ka vendosur ta pranojë atë duke ulur me 70 ditë dënimin e Dritan Minxollit, shkruan shqiptarja.

Ky i fundit ka paraqitur si provë, sjelljen e mirë në burg dhe aktivizimin e tij në institucionin ku vuan dënimin në IEVP “Ali Demi”. I pandehuri Dritan Minxholli, është dënuar nga Gjykata e Apelit, me 5.7 vjet burg për pasojat e shpërthimit të 15 marsit 2008, në Gërdec, teksa nga hetimet e prokurorisë rezultoi se Minxolli mbante përgjegjësi për organizimin e punës në ambientet e brendshme të kësaj punishteje të vdekjes. Më 12 mars 2012, Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me 18 vjet burg ish-drejtorin e Fabrikës, Dritan Minxolli, ndërsa Apeli i uli një të tretën e këtij dënimi. Me vendimin e dy ditëve më parë të uljes me 70 ditë të dënimit, Minxollit i hapet rruga që në një periudhë të mëvonshme të kërkojë lirimin me kusht.