Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 08:30

Tiranë – Abonentët e Ujësjellës Kanalizimeve në kryeqytet do të kenë mundësi të shohin faturat e ujit edhe përmes internetit.

Lajmin e bëri të ditur dje specialisti i Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve në kryeqytet, Erald Zeneli, gjatë përurimit të zyrës së re të kësaj drejtorie në zonën e Tiranës së re.

Zeneli theksoi se “kjo zyrë do t’u mundësojë qytetarëve informacionin e duhur, pagesat e faturave si dhe ankesat për rastet kur pretendohet se është abuzuar me faturat nga punonjësit e ujësjellësit”.

Gjatë përurimit të zyrës së re Zeneli prezantoi edhe shërbimin online që ofron kjo zyrë, me anë të së cilës qytetarët do të kenë mundësi të shohin sa sasi uji kanë shpenzuar. “Ky është shërbimi më i ri që ofron nga sot drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës. (UKT)”, tha Zeneli.

Përurimi i kësaj zyre, së bashku me shërbimin online të implementuar, është në përputhje me programin e qeverisë për dixhitalizimin e vendit. Me anë të saj, synohet rritja e shpejtësisë, cilësisë së shërbimeve si dhe të luftohet korrupsioni duke iu afruar gjithnjë e më shumë standardeve europiane.