Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 11:50

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi do të vizitojë Brukselin më 7 dhe 8 dhjetor, ku pritet t’i dorëzohet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Thaçi do të takohet me presidentin e Këshillit të Evropës, Herman Von Rompuy dhe me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, nga të cilët pritet të marrë këtë dokument, i cili do t’i hapë rrugë dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Për këtë çështje, sipas burimeve në Bruksel, tashmë ekziston një konsensus i anëtarëve të Bashkimit Evropian për rolin konstruktiv që po luan Prishtina në bisedimet me Beogradin për përmbushjen e kritereve të përcaktuara.

Komisioni Evropian së fundi ka vlerësuar me nota pozitive progresin e arritur në Kosovë në fushat që lidhen me këtë proçes, siç janë riatdhesimi dhe riintegrimi i personave të kthyer si dhe regjistri civil.