Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 11:25

Prishtinë – Një vendim për shkurtimin selektiv dhe të jashtëligjshëm të orarit të punës që është marrë nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, është anuluar pas vetëm 24 orësh. 

Sekretari i MPJ-së, Nagip Skenderi, të martën, kishte nxjerrë vendim për shkurtimin e orarit të punës për ata të punësuar të MPJ-së që janë duke agjëruar ramazanin. Por, pas 24 orësh është detyruar që ta anulojë vendimin. 

Të martën, të punësuarit agjërues, kishin marrë njoftim nëpërmjet një sms se do të punojnë një orë më pakë. Atyre u ishte ofruar mundësia që orarin ta nisin në ora 9:00, ose ta mbarojnë orarin në një orë më herët, në ora 15:00.

Burime të gazetës “Koha ditore” kanë bërë të ditur se vendimi i Nagip Skenderit, i cili edhe vetë është duke agjëruar ramazanin, ka “tmerruar”, kreun e ministrisë, Enver Hoxhaj, i cili nuk ishte konsultuar fare për këtë vendim dhe si pasojë Hoxhaj kishte kërkuar sqarim nga sekretari.