Lajme Shqip Saturday, 09 July 2011 17:42

Gostivar – Një delegacion i udhëhequr nga kryetari i këshillit të komunës së Gostivarit Fadil Zendeli, deputetja Flamure Kreci Demiri dhe sekretari i komunës Naxhi Xhelili, me rastin e 14-vjetorit të ngjarjeve tragjike të 9 korrikut të vitit 1997, bënë homazhe mbi Varret e Dëshmorëve të Flamurit.

Ata bënë ceremoni fetare mbi varret e Dr. Shpend Iseinit, Nazmi Saliut dhe Milaim Dautit, të cilët dhanë jetën në mbrojtje të Flamurit Kombëtar.

Në homazhe morën pjesë edhe këshilltarë dhe administratorë komunalë, familjarët dhe bashkëfshatarët e dëshmorëve nga Turçani i Vogël, Forina dhe Dobërdolli.

“Tanimë e kemi bërë traditë që në nder dhe respekt të dëshmorëve të flamurit të 9 korrikut të vitit 1997, ta bëjmë atë që më së pakti mund ta bëjmë si institucion dhe si qytetarë, respektivisht t’i vizitojmë varret e tyre, duke shprehur nderimin dhe respektin për këta njerëz të sakrificës. Të bëjmë homazhe mbi varret e njerëzve të cilët dhanë gjënë më të shtrenjtë, dhanë jetën e tyre, për flamurin dhe popullin e vet. Ne si Komunë, tentojmë që brenda mundësive tona t’i ndihmojmë familjet e dëshmorëve në ato fusha ku kemi mundësi”, ka thënë kryetari i këshillit të Komunës së Gostivarit, Fadil Zendeli.

Me rastin e kësaj date të shënuar historike për shqiptarët, nëpër qytet dhe vendbanime tjera të komunës së Gostivarit, u vendosën flamujt kombëtar dhe transparentë me mbishkrimin “Dëshmorët e kombit nuk vdesin kurrë”. (LajmeShqip.com)