Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 18:14

Tiranë – Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i cili u nda nga jeta mesditën e së shtunës, në moshën 76-vjeçare, u përcoll sot për në banesën e fundit në një ceremoni të veçantë që u organizua pranë Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, në Tiranë.

Në ceremoninë e varrimit ishin të pranishëm personalitete të larta të vendit, Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, si dhe ministra të kabinetit qeveritar të cilët zhvilluan homazhe dhe nderuan këtë figurë të lartë të bektashizmit shqiptar.

Qeveria ka shpallur ditën e sotme dite zie kombëtare për vdekjen e kreut të kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Personalitete të larta të vendit, por edhe qindra qytetarë zhvilluan paraditen e sotme homazhe në nderim të Haxhi Dede Reshat Bardhit, ndërsa të gjitha institucionet ulën flamujt në gjysëm shtizë dhe mbajtën një minutë heshtje në orën 12:00 për të nderuar kujtimin e tij.