Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 23:10

PEJË -Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, prej dy ditësh ndodhet në qytetin e Pejës, Kosovë, ku po zhvillohet takimi i parë i ministrave të mbrojtjes së rajoni, ku marrin pjesë ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë, si dhe përfaqësues nga Komanda e SHBA-ve për Europën dhe NATO-n, ndërsa është vënë re mungesa e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, i cili ka bojkotuar takimin.     

Konferenca e cila është realizuar me ftesë të ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, është e para e këtij lloji që zhvillohet në nivel ministrash të mbrojtjes së vendeve të rajonit.

Gjatë fjalës së tij, ministri Imami, e cilësoi këtë takim, një hap të rëndësishëm dhe domethënës për aspiratën integruese euro-atlantike të Kosovës.

“Duke patur parasysh të gjithë mbështetjen që Aleanca e Atlantikut të Veriut i ka dhënë në vijimësi këtij shteti të ri të Europës, dhe mbështetjen pa rezerva nga SHBA-të, por dhe nga vendet e rajonit, shpresojmë që kjo rrugë do të jetë sa më e shkurtër. Por, duhet ta themi që ky është një hap përpara, koha do të na tregoj se deri në çmasë ky hap do të ndihmojë, ka ndihmuar, apo ka kontribuar për arritjen e këtij qëllimi të madh të Kosovës”, tha ai.

Në përfundim të ditës së parë të punimeve, ministrat e mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët, ku thuhet se është arritur qëllimi për bashkëpunimin bilateral, rajonal, dhe euroatlantik, në fushën e sigurisë, si dhe në fushën e përgjigjeve ndaj emergjencave civile. Në këtë deklaratë po ashtu thuhet se “nëse duam të maksimizojmë efikasitetin në këto fusha, ne duhet që në mënyrën më të mirë të mundshme të koordinojmë kapacitetet e secilit vend të interesuar”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e pranishme në ceremoninë e hapjes së takimit, tha se shkëmbimi i përvojave dhe gjetja e formave më të mira të bashkëpunimit, janë në interes  të të gjitha vendeve dhe qytetarëve të rajonit. Ajo ka rishprehur qëllimin e Kosovës, që ashtu si i tërë rajoni, të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Ashim Thaçi, vlerësoi se konferenca, dërgon mesazhin për të ardhmen e Kosovës, por edhe të rajonit ndërsa shtoi se Republika e Kosovës është dhe gjithmonë do të jetë partner serioz për paqe dhe stabilitet në rajon.