Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 19:18

Tiranë – Studiues dhe historianë përkujtuan sot 65-vjetorin e Kryengritjes Antikomuniste të Posrtibës, në një konferencë shkencore për t’i dhënë ngjarjes kuptimin e vërtetë historik.

Pjesëmarrësit referuan në lidhje me historikun e kësaj kryengritjeje antikomuniste,e cilësuar si e para e këtij lloji jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europën Lindore, si dhe për domethënin e saj. Sipas tyre kjo kryengritje edhe pse është vlerësuar si një episod sporadik, në fakt është hallka e një zinxhiri kryengritjesh të armatosura.

Studiuesit si Uran Butka, Kolec Topalli, Çelo Hoxha, etj, sollën ngjarjen në një vështrim larg indoktrinimit të deritanishëm nga historiografia zyrtare komuniste, sidomos përmes dosjeve.

Gjatë fjalës së tij në lidhje me qëndrim e historiografisë zyrtare ndaj Kryengritjes së Postribës, studjuesi Çelo Hoxha, referuar tekstit të historisë për vitin e tretë të gjimnazit, tha se ajo prezantohet si e jashtëligjshme dhe se motivi i saj ka qënë humbaj e pushtetit të kohës. “Autorët e tekstit e banalizojnë kryengritjen e Postribës dhe e zbehin nga vlerat morale”, tha Hoxha.

Studjuesit e përmëndën Kryengritjen e Postribës si rezistencën e parë popullore, kundër diktaturës komuniste, si një ngjarje e jashtëzakonshme që dëshmoi trimërinë dhe patriotizmin e kombit shqiptar, pas Luftës së Dytë botërore.

Hamza Kazazi, bir i një prej kryengritësve Jup Kazazit, që u vetëvra për t’i shpëtuar pushkatimit nga regjimi komunist, në një prononcim për mediat tha se është e domosdoshme që të shkruhet më shumë për këtë kryengritje që ajo të njihet siç duhet. “Babai e kujtoj të lidhur me armët, edhe në shtëpi. Ndërkohë që edhe më pas në familjen time kanë vazhduar persekutimet”, tha Kazazi.

Kryengritja e Postribës kujtohet në Shkodër si një nga ngjarjet më të dhimbshme, pasi diktatura komuniste vrau gjatë përleshjes 21 burra, si dhe pushkatoi më pas, pa gjyq, 19 të tjerë. Ndërsa 13 persona u dënuan me burg të përjetshëm, 123 të tjerë u dënuan me vite të ndryshme burgimi, si dhe u dogjën 18 shtëpi.

Qëllimi i kryengritjes ishte të sulmonin pikat kryesore të pushtetit lokal të asaj kohe në Shkodër dhe më pas të rrisnin pjesëmarrjen për të marshuar drejt Tiranës, deri në çlirimin e plotë të vendit nga forcat komuniste.