Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 11:40

Fier – Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Fierit, pas një pune të suksesshme hetimore, arritën që brenda harkut kohor të 12 orëve të identifikojnë dhe prangosin autorin e vrasjes së 42-vjeçares Violeta Mehmeti.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë e Qarkut thanë se Aleksandër Doko, 19 vjeç, nga qyteti i Selenicës, në rrethin e Vlorës, është autori i vendosjes së granatës në banesën e shtetases Mehmeti, e cila humbi jetën si pasojë e shpërthimit të granatës.

Policia ka ndaluar edhe 19-vjeçarët Xhuljano Lamaj dhe Ertion Lamaj nga qyteti i Ballshit, nën akuzën e moskallëzimit të krimit.

Nga kontrolli që policia bëri në banesën e autorit të krimit u gjetën prova të plota materiale që dokumentojnë autorësinë e krimit si dhe 2300 fishekë mod 56. Sipas hetimeve paraprake të policies, mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërkohë që burime brenda grupit hetimor konfirmojnë se autorët dhe vajza e viktimës kanë njohje dhe janë konviktorë në shkollën artistike “Jakov Xoxa”, në Fier, çka përbën dhe burimin e konfliktit.

Ngjarja ka ndodhur ditën e premte (dje) rreth orës 07.00 në qytetin e Ballshit, kur shpërthimi i një granate vendosur në derën e banesës së familjes Mehmeti, shkaktoi vdekjen e 42-vjeçares nga shpërthimi i së cilës humbi jetën shtetasja Violeta Mehmeti.