Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 20:32

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në Panairin agro-biznes-turizëm, “Baçja e Tironës” në Petrelë, i organizuar nga disa komuna kufitare të Tiranës.

Duke shprehur respekt dhe admirim për punën e shkëlqyer të fermerëve dhe drejtuesve të komunave, me arritjet e tyre të paraqitura në panair, Kryeministri tha se, “kur e viziton këtë panair mendon se e gjithë Shqipëria, dhe jo disa komuna, ndodhet e përfaqësuar këtu”.

 

“Do të bëjmë gjithçka, që në çdo fshat, ju njerëzit e punës, tokës, prodhimit, të keni infrastrukturë të njëjtë me atë të qyteteve tona. Të keni infrastrukturë të njëjtë me fshatrat dhe komunat e vendeve të zhvillura evropiane. Ndërkohë ne do të bëjmë gjithçka të mbështesim traditat tuaj të shkëlqyeratë prodhimit bujqësor dhe frutor”, u shpreh Berisha. Berisha e vuri theksin gjatë fjalës së tij për domosdoshmërinë e zhvillimit me intensitet të sektorit të fruti-kulturës në vend.

“Çfarë kërkojmë ne në mënyrën më njerëzore nga ju?” iu drejtua Kryeministri fermerëve. “Ne kërkojmë të vendosim të 10-fishojmë, të 100-fishojmë drurët frutorë në këtë vend”.
“Kjo”, sipas Kryeministrit, “është një rrugë e sigurtë e begatimit të familjeve tuaja, kjo është një rrugë e sigurtë e çbegatimit të komunave tuaja, e begatimit të vendit tonë”.
“Sot”, theksoi Berisha, ‘ jemi në kushte të tjera nga ato që kemi qenë në vitet e mëparshme. Sot ne jemi në zemër të tregut më të madh të botës, që është tregu i Bashkimit Evropian. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka për të rritur sa më shpejt prodhimet tona”.

Berisha garantoi fermerët se, “Shqipëria është një vend i shkëlqyer për frutikulturën sepse 20% të sipërfaqes e kemi tokë për bimë arrash, por kemi 80% tjetër që deri 800 metra lartësi mund ta shndërrojmë në kopshtin më të madh, më prodhues, më të bukur të Evropës”.

Berisha ftoi fermerët që së bashku me qeverinë të punojnë në këtë projekt të ri për të 100-fishuar, 200-fishuar rrënjët e drurëve frutorë sepse kjo do të sjellë rritjen e të ardhurave.

Duke iu drejtuar kryetarëve të komunave, Berisha tha se, “së bashku me ministrin e Bujqësisë po punojmë që t’iu japim juve ato kompetenca që as Qeveria nuk i ka sot, por i ka vetëm Parlamenti. Do t’iu japim të vendosni për të mbjellë çdo pëllëmbë tokë në interesin më të mirë të çdo familjeje në këtë vend”.

Kryeministri tha se po bëhet ç’është e mundur për të ndërtuar infrastrukturën rrugore, por iu takon atyre të vendosin për komunat që drejtojnë.

Sipas Kryeministrit komunat në të gjithë Shqipërinë kanë një potencial të madh turistik.
“Deri sot ne presim rreth 3.5 milionë turistë dhe vizitorë që drejtohen drejt detit sepse nuk kemi patur infrastrukturë”, tha Berisha, por garantoi ai, “një fluks po kaq i madh do të drejtohen drejt komunave, drejt fshatrave, drejt maleve tona. Prandaj le të përpiqemi të promovojmë potencialet e bukurive natyrore të këtyre zonave”.

Duke kundershtuar edhe një herë idene e kreut të opozitës për rritjën e taksave ndaj biznesit, Berisha tha se, “qeveria nuk do të rrisë taksat siç kërkon z. Rama, me një urrejtje arkaike ndaj të pasurve. I them atij se problemet e varfërisë në sistemin e lirisë nuk zgjidhen kurrë duke luftuar të pasurit, por zgjidhen duke bërë çdo gjë që dhe të varfërit të bëhën të pasur. Nëse ti rrit taksat duke shkatërruar me një të rënë të lapsit qindra mijëra vende punë s’bën gjë tjetër vetëm se thellon varfërinë dhe mjerimin në vendin tënd. Por kjo kohë ka perënduar nuk kthehet më. Merru me kujtimet e tua”.

Duke iu drejtuar fermerëve, Kryeministri garantoi se, qeveria do t’i mbështesë ata fuqishëm. “Do të vazhdojmë me projekte. Këtë vit kemi dyfishuar shumën për drurët frutorë. Këtë vit do të vendosim rregulla edhe më lehtesuese për importin e fidanëve. Këtë vit do bëjmë gjithçka të nxisim fidanishten. Në mënyrë që ta shndërrojm Shqipërinë në kopshtin më të bukur, më të madh të Evropës”, tha Berisha.

Komunat Farkë, Petrelë, Baldushk, Bërzhitë e organizojnë këtë panair për të promovuar prodhimet tradicionale të zonave të tyre, dhe për të promovuar këtë zonë piktoreske në periferi të kryeqytetit, e cila është bërë më e prekshme dhe më e afërt për turistet vendas dhe të huaj, për shkak të kompletimit të infrastrukturës me rrugët kombëtare dhe dytësore.

Në këtë promovim, bashkë me Kryeministrin Berisha ishin edhe një grup motoristësh shqiptarë. Ata bënë një tur me motorë Harley Davidson në rrugët dytësore që lidhin komunat me njëra-tjetrën, por që janë ende të pazbuluara nga qytetarët e Tiranës dhe turistët.

Është hera e parë që në Shqipëri zhvillohet një tur i tillë për të promovuar bukuritë natyrore dhe infrastrukturën rrugore që ofrojnë këto zona. (LajmeShqip.com)