Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 13:03

Prishtinë – Lëvizja “Bashkohu”, fali sot Namazin e Xhumasë, në njërën nga hapësirat kryesore të kryeqytetit, në mënyrë të qetë, por me këmbënguljen që Komuna e Prishtinës të gjejë lokacion për ndërtimin e xhamisë së re. Zyrtarët komunalë thanë se së shpejti do të gjendet zgjidhje për këtë çështje.

Falja e Xhumasë u organizua në sheshin te trekëndëshi, mes Komunës së Prishtinës, Kuvendit të Kosovës, përballë Xhamisë së Çarshisë. Përfaqësuesi i lëvizjes “Bashkohu”, Fatos Rexhepi, tha se nuk kanë dalë aty për të bllokuar rrugën, por për të falur namazin dhe për të përshëndetur iniciativën e Komunës për përcaktimin e lokacionit për ndërtimin e Xhamisë dhe të Qendrës Islame.

Përfaqësues të kësaj lëvizjeje kanë pasur takime me zyrtarët e Komunës së Prishtinës dhe ata të Medresesë, për të gjetur një zgjidhje lidhur me lokacionin e ndërtimit të një xhamie të madhe.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi, tha se ende nuk është caktuar saktë se ku do të jetë lokacioni, por premtoi se kjo do të ndodhë së shpejti.

Ndërkohë, policia e Kosovës kishte marrë të gjitha masat për të siguruar rend dhe qetësi në kryeqytet. Pas faljes së namazit, besimtarët u shpërndanë të qetë.