Lajme Shqip Friday, 18 April 2014 13:39

Grupi i turistëve francezë, që u bllokua nga dëbora mbrëmjen e djeshme në zonën e Thethit kaluan natën në Bogë.

Grupi me 11 turistë francezë, që udhëtonin me 4 automjete, mbetëm të bllokuar dje në mbrëmje në Qafë Thore. Me të marrë informacionin Ministria e Brendshme mori masa emergjente për ti ardhur në ndihmë duke bërë transportin e tyre me fadroma dhe më pas ata u strehuan në shtëpitë e banorëve të Bogës.

Në ndihmë të tursitëve shkuan edhe forcat e policisë të Shkodrës, Kryetari i Komunës Shalë dhe komuniteti i zonës.

Prej mbrëmjes së djeshme po punohet në dy drejtime për hapjen e aksit rrugor, Theth – Bogë dhe Bogë – Theth, nga dy borëpastruese të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe dy borëpastruese të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Shkodër.

Grupi me 11 turistë francezë pritet të mbërrijë sot në Shkodër, për t’u nisur në destinacionin e radhës të planifikuar.