Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 18:14

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi njoftoi të enjten zyrtarisht gjatë një konference për shtyp me Presidentin malazez, Filip Vujanovic, se është tërhequr nga pjesëmarrja në Samitin e Ukrainës (11-12 maj), për shkak të keqtrajtimit që autoritetet vendase po i bëjnë në burg, ish-kryeministres, Julia Tymoshenko.

“Unë kam paraqitur vendimin tim pranë strukturave tona diplomatike dhe pranë strukturave që menaxhojnë këtë Samit për të mos marrë pjesë, duke iu bashkëngjitur linjës së vendeve të BE-së për të protestuar nëpërmjet bojkotit për mënyrën e trajtimit të ish-kryeministres Timoshenko, e cila po i nënshtrohet një trajtimi jo njerëzor”, u shpreh Presidenti Topi në përgjigjie të interesimit të medias.

Topi sqaroi se bojkoti nuk bëhet ndaj vlerave të Samitit të Presidentëve të Evropës Qendrore dhe Juglindore, po bëhet ndaj vendit mikpritës, jo Ukrainës si vend, por pikërisht standardit të demokracisë që sot vërtet është në një krizë të ushtrimit të tij. (LajmeShqip.com)