Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 16:41

Prishtnë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot zv/kryeministrin e Republikës së Turqisë, Bülent Arinç, i cili konfirmoi se “Turqia mbështet fuqishëm integritetin territorial të Kosovës”.

Sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Turqisë dhe për thellimin e këtij bashkëpunimi në të gjitha sferat.

Kryeministri Thaçi falënderoi zv/kryeministrin e Turqisë, Bülent Arinç për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Kosovës në procesin e pavarësimit dhe tani në procesin e njohjeve të reja.

Në këtë kuadër, Thaçi shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes Kosovës dhe Turqisë, posaçërisht në fushën e ekonomisë dhe atë të kulturës.

Kryeministri Thaçi shprehu angazhimin e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit, duke shtuar se vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës janë vendime legjitime, kushtetuese dhe mbi të gjitha vendime që i kanë dhënë fund kontrabandës dhe krimit të organizuar, që ka mbizotëruar tashmë e 12 vite në pjesën veriore të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është e vendosur që të vazhdojë të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe për të vendosur plotësisht sundimin e rendit dhe ligjit dhe në pjesën veriore të Kosovës, duke shpërbërë strukturat kriminale dhe duke luftuar dukuritë tjera negative në atë pjesë të territorit të Kosovës”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Ai shtoi se “duke pasur parasysh se të gjitha vendet e rajonit kanë objektiv integrimin në Bashkimin Evropian ato duhet të respektojnë integritetin territorial të vendeve fqinje, këtë kusht duhet ta plotësojnë edhe Kosova edhe Serbia”.

Në takim është diskutuar edhe procesi i njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe roli që ka Turqia në mbështetje të Kosovës në këtë proces të rëndësishëm.

Zv/kryeministri i Turqisë, Bülent Arinç vlerësoi bashkëpunimin mes Kosovës dhe Turqisë dhe theksoi se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej. “Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e njohjeve të reja, pasi ky proces është në interes të mbarë rajonit”, u shpreh Arinç.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës. Në këtë drejtim, Arinç theksoi se Turqia mbështet fuqishëm integritetin territorial të Kosovës dhe të drejtën e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e vet në të gjitha pjesët e Kosovës”, theksohet në njoftimin për shtyp.

Edhe Zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, priti në takim një delegacion të Republikës së Turqisë të kryesuar nga zv/kryeministri, Bülent Arinç, me të cilin bisedoi për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor mes të Kosovës dhe Turqisë.

Gjatë takimit, Kuçi shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që Turqia po jep për Kosovën. “Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim edhe në planin ekonomik, për mundësinë e investimeve edhe më të mëdha të investitorëve turq në Kosovës, si dhe për bashkëpunimin kulturor mes dy shteteve dhe popujve tanë”, tha  Kuçi.

Ai shprehu qëndrimin e shtetit të Kosovës për prioritetet për rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për integrimet euro-atlantike dhe përkushtimin që Kosova të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Ndërsa, zv/kryeministri i Turqisë Arinç, tha se për Turqinë, integriteti territorial i Kosovës është i rëndësishëm dhe askush nuk mund të bëj fjalë për ndarje e saj. Ai siguroi angazhimin e vendit të tij për njohje të reja për Kosovën.