Lajme Shqip Thursday, 08 August 2013 13:34

Tiranë – Vizita e kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama në Turqi, vazhdon të ngacmojë mediat në Tiranë.
Kështu, e përditshmja Shqip shkruan se përfshirja e Turqisë në rrethin e afërt të partneritetit të Shqipërisë nga qeveria e re socialiste që pritet të marrë pushtetin në shtator nuk është e rastësishme.
Turqia është një vend, i cili në ndryshim nga një pjesë e mirë e vendeve të Eurozonës, jo vetëm nuk pësoi recesion ekonomik, por ka arritur të shënojë rritje të konsiderueshme ekonomike.
Kjo sigurisht është përkthyer në një rritje të investimeve turke nga viti në vit në Shqipëri, madje dyfishim i tyre në vetëm katër vite.
Nëse i referohesh shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, shihet qartë se vetëm gjatë katër viteve 2007-2011, Turqia ka pothuajse dyfishuar investimet në Shqipëri, nga 154 milionë euro që ka pasur në 2007-n në 282 milionë euro në vitin 2011, shkruan Tema. 
Por pavarësisht premisave të Turqisë si një fuqie e re ekonomike në rritje, jo vetëm investimet e saj, por dhe importet në Shqipëri mbeten të ulëta krahasuar me fqinjët dhe partnerët tradicionalë të Shqipërisë, si Italia dhe Greqia.
Referuar të dhënave zyrtare në Bankës së Shqipërisë të publikuara deri në vitin 2011, Turqia rezulton të përfaqësojë rreth 9.3 për qind të investimeve në Shqipëri.
Kurse ish- ministri i Jashtëm, Paskal Milo, në një intervistë për gazetën Panorama thotë se Rama do e ngrejë Turqinë në nivel partneri strategjik.
“Në të vërtetë, në traditën e politikës së jashtme shqiptare të mbi 20 viteve të fundit, partnerë strategjikë tanët janë konsideruar SHBA, Italia dhe Greqia, si dy fqinje të drejtpërdrejta të Shqipërisë. Ndërkohë që Turqia, si një vend i madh dhe me një histori marrëdhëniesh me Shqipërinë, nuk është konsideruar zyrtarisht si një partner strategjik, por marrëdhëniet kanë qenë të tilla dhe në praktikë ajo gjithnjë është konsideruar si partner. Zoti Rama, me këtë vizitë dhe me këto deklarata, premton ta ngrejë edhe zyrtarisht në nivelin e partnerit strategjik. Nuk duhet të harrojmë që Turqia, sikurse dhe Greqia e Italia, janë vende anëtare të NATOsë ku Shqipëria ndan me ta të gjitha partneritetet strategjike të kësaj aleance. Pra, vizita e zotit Rama, veçanërisht në Turqi, e dha qartë këtë mesazh partneriteti strategjik të një vendi që përveç të tjerave, është pra dhe aleat strategjik në NATO,” thekson Milo.