Lajme Shqip Tuesday, 19 July 2011 12:13

Prishtinë – “Sllovenia e mbështetë Kosovën në pikësynimet e saj”, tha Presidenti slloven, Danilo Turk pas një takimi mbrëmë në Lubjanë me Presidenten kosovare, Atifete Jahjaga.

“E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye ne i mbështesim të gjithë hapat e ecjes së Kosovës drejt Evropës”, theksoi ai.

“Ne jemi që të zhvillohen negociatat e duhura për liberalizimin e vizave. Do të ishte mirë që Bashkimi Evropian të vendos kriteret teknike për këto negociata dhe procesi i negociatave të fillojë. Në dëshirojmë që procesi i bashkëpunimit të Bashkimit Evropian dhe Kosovës të zhvillohet në drejtim të ngritjes së kornizës së duhur juridike të këtij bashkëpunimi në të ardhmen”, u shpreh Presidenti slloven.

“Dëshira jonë është që Kosova edhe më tutje të veprojë si një faktor aktiv në stabilitetin në Evropën Juglindore”, tha Presidenti Turk.

Ai kujtoi se “Sllovenia e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur në mars të vitit 2008 dhe prej atëherë ne kemi zhvilluar marrëdhënie shumë të mira në të gjitha nivelet, në nivelin politik, nivelin ekonomik dhe nivelet e tjera”.

Nga ana e saj, Presidentja Jahjaga tha se, vizita e saj në Republikën e Sllovenisë, me ftesën e Presidentit Danilo Turk, ka për qëllim të përparojë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Përvoja dhe ndihma e Sllovenisë kanë një rëndësi të veçantë”, theksoi Jahjaga, duke shtuar se, me Presidentin e Sllovenisë kishin biseduar edhe për gjendjen e përgjithshme në rajon dhe në këtë kontekst edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë në një periudhë jo të largët do ta njohin njëra-tjetrën dhe do të vendosin marrëdhënie diplomatike si dhe do të nënshkruajnë marrëveshje ndërshtetërore të cilat tashmë Kosova i ka të nënshkruara me vendet e tjera fqinje”, theksoi Presidentja Jahjaga.

Për Kosovën, shtoi ajo, është jetik anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe ne jemi duke i shfrytëzuar përparësitë e pranisë së misioneve të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë që arritja e standardeve dhe plotësimi i kushteve të kenë shpejtësinë e nevojshme.