Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 12:16

Tiranë – Gjendet në Malin e Jezercës turisti çek, i cili ishte aksidentuar ditën e djeshme.

Që në orët e para të mëngjesit të sotëm një helikopter AB 205 i regjimentit të helikopterëve në Farkë ka filluar kërkimet në këtë zonë të thellë malore dhe ka bërë të mundur gjetjen e turistit çek, i cili rezultonte i humbur prej mesditës së djeshme.

Aktualisht i plagosuri është transportuar me helikopter për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, me qëllim evidentimin e gjendjes së tij shëndetësore dhe dhënien e ndihmës së nevojshme.

“Ndihem më mirë sepse e di që nuk do të vdes. U ngjitem në malin Jezerca, një aksident ndodhi… rrëshqita në akull dhe ndrydha këmbën aty. Më pas kërkuam ndihmë dhe të nesërmen ushtria shqiptare na gjeti ne. Kështu që do të doja të falenderoja ushtrinë shqiptare që na gjeti dhe më shpëtoi jetën. Gjëja e parë që mendova kur ndodhi aksidenti ishte se nuk doja të vdisja kështu. U përpoqa të zbrisja poshtë pranë liqenit për t’i shpëtuar temperaturave të ulëta sepse ishim 2.500 metra mbi nivelin e detit dhe nata atje do te ishte shumë e ftohtë, kështu që zbritëm poshtë dhe kjo ishte e gjitha”, rrëfeu turisti çek për News 24.

Turisti nga Çekia u aksidentua dje rreth orës 18:00.

Ai ishte duke u ngjitur në malin e Jezercës kur ka rrëshqitur nga një lartësi e madhe.

Helikopterët nga Tirana shkuan disa herë në vendin ku ndodhej turisti për herë të fundi, por nuk kanë mundur ta lokalizojnë, pasi mali ishte shumë i thyer dhe ulja e helikopterit ishte shumë e rrezikshme.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Erdha këtu për të vizituar malet sepse natyra në Shqipëri është shumë e bukur

Më pëlqejnë shumë malet, kam eksperience edhe në Rumani dhe nuk shikoj ndryshime. Frikë nuk kisha në Shqipëri sepse mendoj që ka njerëz të mirë dhe të këqij ka kudo në botë, madje edhe në Çeki. Ndoshta do të më pëlqente të kthehesha sërish në atë majë mali. Sidoqoftë do të doja të operohesha në vendin tim vetëm për shkak të sigurimeve që paguaj atje. Do te ndihesha më i sigurt atje”, shton Pavel Prazak.

Turisti në çastin që ndodhi aksidenti, kishte lajmëruar policinë se kishte thyer këmbën. Por për shkak të terrenit valët telefonike nuk funksionuan dhe kontakti me turistin u bë i pamundur.