Lajme Shqip Friday, 11 September 2015 15:55

Qindra turistë nga Polonia kanë vizituar gjatë muajve të fundit fshatin Pilur, në Bashkinë e Himarës.

Një grup prej tyre ishin pak ditë më parë në këtë fshat, në të njëjtën kohë kur këtu zhvillohej një aktivitet për vlerat turistike të zonës, organizuar nga Kooperacioni Gjerman, GIZ dhe Agjensia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, në kuadrin e hartimit të Planit të Integruar të Zhvillimit të Turizmit në Bregdetin e Jugut.

Ky aktivitet, që u shndërrua në një festival idesh, kulture, tradite, produktesh tipike, me praninë edhe të turistëve nga Polonia, krijoi një dimension të vërtetë promovimi të resurseve turistike të zonës.Turiste nga Polonia ne fshatin Pilur Vlore Foto Harilla Koçi.

Krahas programit të vizitave, ku përfshiheshin kisha më shumë se katër shekullore e këtij fshati, si dhe banesa karakteristike e bukuritë natyrore, turi stët e huaj u bënë pjesë e këtij aktiviteti duke dëgjuar e ndjekur edhe këngët e bukura të grupit polifonik të Pilurit.

Ilir Papa, përfaqësues i një agjencie turistike, thotë për ATSH-në se, fshati Pilur është pjesë e itinerarit turistik që organizohet në bashkëpunim me agjenci partnere polake.

Gjatë më shumë se 4 muajsh, pjesë e këtij itinerari janë bërë qindra turistë që vijnë nga qytete të ndryshme të Polonisë, të cilët kanë vizituar Sarandën, Butrintin, bregdetin e Jugut, Pilurin, fshati më i lartë në zonën e Himarës, që është edhe një nga pikat më të rëndësishme në këtë program lëvizjeje.

Kisha ne fshatin Pilur Vlore Foto Harilla KoçiBarbara, përfaqësuese e një agjencie polake që organizon udhëtime turistike në Shqipëri, thotë për ATSH-në se, bregdeti i Jugut, por edhe ky fshat, kanë vlera të rëndësishme natyrore, kulturore e historike të cilat pëlqehen nga bashkatdhetarët e saj.

A jo thekson se, turistët polakë vijnë me kënaqësi në këtë pjesë të Shqipërisë së Jugut, ndërkohë që ky fshat u krijon një ndjesi të veçantë me pozicionin gjeografik, me objekte të rralla si kisha katërqind vjeçare, apo banesat karakteristike e mikpritjen e banorëve.

Prania e turistëve polakë në Bregdetin e Jugut, është pjesë e fluksit të shtuar të turistëve të huaj, të cilët kanë frekuentuar këtë zonë dhe më gjerë, Shqipërinë, gjatë këtij sezoni veror.grupi polifonik i fshatit Pilur, duke kenduar ne qender te fshatit Foto Harilla Koçi.

Turistë nga dhjetra vende të Evropës e më gjerë, Gjermania, Anglia, SHBA, Danimarka, Rusia, Rumania, Çekia, Italia, Ukraina, Kazakistani, Mali i Zi, Kosova etj, mbushën bregdetin e jugut gjatë këtij sezoni veror. /ATSH