Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 13:07

Tiranë – Partia Socialiste mbështeti sot në parim draft-marrëveshjen e propozuar nga Partia Demokratike për mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve, por me kusht, respektimin e disa kërkesave që garantojnë, sipas saj, votën e lirë dhe të ndershme më 8 maj.

Duke marrë fjalën në tryezën e partive parlamentare, ku po diskutohet mbarëvajtja e procesit të ardhshëm zgjedhor, kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi tha se PS-ja është dakort me draftin, nëse pjesë e tij do të bëhet  transparenca post-elektorale.

Kreu i grupit socialist parashtroi disa nga problematikat që sipas tij kërkojnë zgjidhje. “Transparenca  postzgjedhore, që realizohet duke kryer ndërhyrjet e duhura që rregullojnë kodin elektoral; transparenca e listave të zgjedhësve, me një identifikim real të zgjedhësve, rikthimin e ligjshmërisë së KQZ-së, respektimin e kodit zgjedhor, kthimin e vendimeve me shumicë të cilësuar në KQZ, etj”, ishin disa nga problemet që parashtroi kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi.

Ndërkaq, tryeza po vijon me diskutimet e përfaqësuesve të tjerë të partive politike, të cilët po vënë theksin tek nevoja e vullnetit politik për respektimin e kodit zgjedhor gjatë procesit zgjedhor.

Prej dy orësh, në kryesinë e Kuvendit, me iniciativë të kryetarit të grupit parlamentar të PD-ë Astrit Patozi është mbledhur tryeza e partive parlamentare, ku po diskutohet problematika e zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Në këtë tryezë, përveç përfaqësuesve të partive parlamentare, merr pjesë dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth.