Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 13:20

Tiranë – Përfundon pa një marrëveshje tryeza e sotme e partive parlamentare, e thirrur nga maxhoranca, lidhur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Pas shume debatesh e polemikash mes përfaqësuesve të dy partive të mëdha, PD e PS, kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi, propozoi një takim të dytë ditën e nesërme, për të nënshkruar draft-marrëveshjen me 16 pika të propozuar prej tij, e cila siç tha ai, shërben si garanci për zgjedhje sipas standardeve dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Patozi, në përfundim të tryezës që zgjati mbi dy orë, tha se kjo është kohë e mjaftueshme që ekspertet e partive pjesëmarrëse të shqyrtojnë pikat e dokumentit të propozuar nga PD.

Në reagim të tij, kryetari i grupit të PS-së, Ruçi, deklaroi se  më parë palët duhet te bien dakord për kushtet e vendosura nga PS, pasi nëse kjo nuk arrihet, “është e kotë të bëhet tryezë mbi tryezë”.

“Ne pikëpamjet tona i thamë dhe shqetësimet i deklaruam. Të takohen përfaqësuesit e dy partive dhe nëse qëndrimet përafrohen, atëherë le të thirret tryeza”, tha ai duke u larguar nga takimi.

Nga ana e tij, Patozi tha se draft-marrëveshja shpreh “vullnetin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Le ta quajmë këtë si frut i një vullneti të përbashkët si një garanci më shumë për zgjedhjet e 8 majit”, tha ai.

Në disa nga pikat e këtij drafti theksohet se partitë duhet të riafirmojnë pranimin e plotë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Gjithashtu, sipas dokumentit, partitë duhet të angazhohen se do të përmbushin çdo detyrim ligjor gjatë fushatës zgjedhore duke i krijuar zgjedhësve mundësi të plota për të shprehur lirshëm vullnetin e tyre.

Debatet në tryezë mes

kryetarit të grupit parlamentar të PD-së dhe atij të PS-së nisën pas kërkesave që ky i fundit parashtroi në këmbim të nënshkrimit të marrëveshjes së propozuar nga Patozi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Sipas përfaqësuesit të PS-së në tryezë, nënshkrimi mund të bëhet vetëm nëse plotësohen kushtet e socialistëve, që nisin nga transparenca post-elektorale, ajo e listave zgjedhore, revokimi i vendimeve të njëanshme të KQZ-së, rikthimi i ligjshmërisë së KQZ-së dhe miratimi i rregullores për funksionimin e këtij Komisioni.

Pas kushteve të parashtruara nga PS, Patozi deklaroi se ndryshimet në kodin zgjedhor në kushtet të tilla janë një minë me sahat për procesin dhe si të tilla nuk mund të bëhen.

Por, në reagim të tij, kreu i grupit të PS-së, Ruçi, tha se ne nuk kërkuam ndryshime në kod dhe pikat e propozuara nga ne me përjashtim të transparencës post-elektorale nuk kanë lidhje me amendimin e kodit.

Në takimin e sotëm ishte i pranishëm dhe ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Ëollfarth. Në fjalën e tij ai vlerësoi rëndësinë e kësaj tryeze si pika më e rëndësishme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

“Vullneti i mirë për t`u mbledhur nuk është faza përfundimtare, por pika kyçe mbetet konkurenca e drejtë mes partive politike në zgjedhjet e 8 Majit”, tha ai.