Lajme Shqip Wednesday, 21 August 2013 19:29

Fitim Kabashi dhe Reshat Nrecaj nga Sallagrazhda e Suharekës, janë në paraburgim për shkak se policia pretendon se e kanë prishur rendin dhe qetësin publike. Ata aktualisht janë në paraburgim në Prizren.

“Dy persona janë shoqëruar në Stacionin e Policisë në Suharekë për prishje të rendit dhe qetësisë”, ka theksuar për “PrizrenPress”, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prishtinë, Brahim Sadria. Sipas tij, arrestimi i tyre është bërë pasi që nuk kanë respektuar urdhrit të mbrojtjes së afërt të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit.

“Kjo nuk ka lidhje me Kryeministrin, pasi që mbrojtësit e tij kanë shkuar për t’ia pastruar vendin në një lokal dhe aty pasi e kanë prishur rendin dhe qetësin, dy qytetarët i kanë arrestuar dhe dërguar në polici”, tha Sadria.

Por, version tjetër për ngjarjen jep vëllai i Reshat Nrecajt, Sedati.

Sipas tij, Fitim Kabashi dhe Reshat Nrecaj janë rrahur nga policët e sigurisë së Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit. Ai thotë policia që mbronte kryeministrin Thaçi e ka sulmuar fizikisht vëllain e tij, Reshatin. “Ai është i rrahur. Policia ende nuk ka dhënë asnjë informacion për këtë ngjarje”, shprehet ai.

Për këtë, Zëdhënësi i Policisë, Brahim Sadria, ka theksuar se nëse familjarët mendojnë se policia ka tejkaluar kompetencat e veta, atëherë ata kanë të drejtë ankese. “ Ata nëse mendojnë se policia i ka kaluar kompetencat e veta, atëherë ata mund të ankohen. Asgjë tjetër nuk mund të them për këtë ngjarje”, tha Sadria

Sedat Ndercaj ka deklaruar se për këtë ngjarje është takuar dhe ka biseduar edhe me kandidatin për kryetar të PDK-së në Suharekë, Ramë Vataj. “Unë kam biseduar edhe me Ramën për këtë punë”, ka thënë ai, për “PrizrenPress”.

Ai ka thënë se deri në orën 23:00 nuk e ka ditur se ku gjendet vëllai. “Unë nuk kam ditur asgjë. Kam marrë vesh në mbrëmje dhe jam interesuar të dijë se çka ka ndodhur“, ka theksuar ai.

Sipas tij, Reshati, dje ka dalë nga shtëpia për të festuar datëlindjen e një shokut. “Në momentin kur janë arrestuar ata kanë qen duke festuar datëlindjen e një shokut”, ka thënë ai.