Tropojë – Sot në lagjen “Dardania” të qytetit të Bajram Currit dy persona ende të paidentifikuar nga policia kanë tentuar të plaçkisin një banesë, ndërsa janë përplasur me djalin e shtëpisë 16 vjecar duke e plagosur me mjete prerëse.
Zëdhënësja e drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit, Suada Sulaj, tha se, “dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e shtetasit Gëzim Gjocaj dhe në tentativë për të marrë një shumë lekësh, janë përplasur me djalin e shtëpisë, 16 vjecarin Xh.Gj, duke e plagosur me mjete prerëse”.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë që i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit e më pas e kanë dërguar në spitalin e qytetit ku është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, grupi hetimor nga kqyrja e vendit të ngjarjes beri te ditur se në një nga mjediset e shtëpisë kishin qenë 220 paund dhe 20.000 lekë. Grabitësit kane arritur të marrin 110 paund dhe 5000 lekë, ndërsa pjesa tjetër është lënë sipër rrobave. Për këtë ngjarje po kryhen hetime intensive me synim gjetjen e autorëve, ndërsa në mjediset e policisë janë shoqëruar 10 persona.