Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 11:24

Tropojë – Investimet e këtij viti, në bashkinë e Bajram Currit, janë përqëndruar në ato objekte, ku edhe interesi i komunitetit është më i madh.

Kryetari i bashkisë, Nuredin Ahmetaj, tha se “ndër investimet kryesore, ku edhe puna po vazhdon me ritme të shpejta, është ndërtimi i një shkolle të re 9 – vjeçare, me një fond prej 150 milionë lekësh, akorduar nga Banka Botërore, rikonstruksioni i rrugës hyrëse në spitalin e qytetit, me një fond prej 5 milionë lekësh, ndërtimi i rrjetit të ri të ujesjellësit, me një fond prej 60 milionë, gjë që zgjidh problemin e furnizimit me ujë të banorëve dhe përmirësimi i rrjetit të kanalizimeve të ujrave të zeza, me një fond prej 20 milionë lekësh”.

“Puna ka nisur me ritme të shpejta, gjë që bën të mundur përfundimin e të gjitha punimeve brenda muajit shtator të këtij viti”, thotë Ahmetaj.

Ndërkohë, pritet të fillojnë punimet edhe për rikonstruksionin tërësor të Muzeut Historik të rrethit, me një fond prej 60 mijë dollarësh, akorduar nga PNUD-i. “Një gjë e tillë është bërë e domosdoshme si rrjedhojë e fluksit në rritje të vizitorëve nga zona të ndryshme të vendit, apo e vizitorëve të huaj”, thotë Ahmetaj.

Ndërsa është drejt përfundimit ndërtimi i konviktit, me një fond prej 16 milionë lekësh, që do të mundësojë vijimin e arsimit të mesëm nga fëmijë të zonave më të thella të rrethit.