Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 10:40

Tropojë – Kryetari i komunës së Lekbibajt në rrethin e Tropojës jep alarmin se prej 10 ditësh ka humbur tërë kontaktin me 2 familjet Ndrevataj dhe 2 familjet Prebibaj që ndodhen sipër fshatit Curraj i Epërm.

“Prej 10 ditësh nuk kemi asnjë lidhje me këto familje, ndërsa trashësia e dëborës arrin në mbi 4 metra. Ushqime kanë patur, por dyshojmë për ndonjë shembje shtëpie”, thotë kryetari i komunës, Gëzim Meshaj. Ai pohon se, “për situatën e krijuar kam informuar edhe strukturat shtetërore”.

A nuk mund të dërgohen për kontrollin e situatës banorë nga fshatrat përreth ?, e pyesim. “Nga fshati më i afërm edhe në stinën e verës rruga bën rreth 4 orë, ndërsa tani kur trashësia e dëborës arrin në mbi 4 metra është e pamundur, përgjigjet kryetari i komunës. Ndërkohë, reshjet e dëborës edhe pse kanë pushuar në këtë zonë të largët malore shqetësim përbën mbarimi i bazës ushqimore për blegtorinë.

Një shqetësim tjetër është rënia e orteqeve në fshatin Gjonpalaj që gjithsesi deri tani nuk kanë shkaktuar dëme në njerëz. Po ashtu, shqetësim përbën mungesa e energjisë elektrike për shkak të dëmtimeve në rrjet. “Është vështirë të gjendet se ku është defekti në kushtet kur trashësia e dëborës arrin në mbi 4 metra. Askush nuk guxon të dalë të rregullojë defektin”, thotë Meshaj.

Një muaj më parë, si rrjedhojë e erërave shumë të forta në fshatrat e kësaj komune u dëmtuan çatitë e 15 banesave, ndërsa 4 shtëpi të tjera u bënë të pabanueshme nga dëmtimet e pësuara.