Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 12:55

Tiranë -Ambasadaorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së në Tiranë theksuan sot, në konferencën e lidershipit në gjyqësor, organizuar nga Ministria e Drejtësisë, se reforma në gjyqësor është e rëndësishme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian por edhe për thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Ata gjithashtu kërkuan një administrim më të mirë të sistemit të drejtësisë.

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi se sallat e gjyqeve janë kritike për funksionimin e gjyqësorit. “Sallat e gjyqeve janë kritike për funksionimin e demokracisë edhe pse janë bërë përparime duke instaluar aparatura regjistrimi për të përmirësuar transparencën”, ai shtoi se “Investuesit e huaj duhet të gjejnë në vend një forcë punëtore të arsimuar, duan një kornizë ligjore të mirë dhe që garanton transparencën dhe që garanton përparësi në sistemin gjyqësor”.

Ndërsa amabasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi theksoi se reforma në gjyqësor është kryereforma për integrimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij,institucionet e forta garantojnë shtetin e së drejtës, ndërsa shtoi se Shqipëria duhet të trajtojë seriozisht çështjen e korrupsionit dhe nevojën për të hequr imunitetin.

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth shtoi se reforma gjyqësore nuk mund të kryhet pa një partneritet mes institucioneve.
“Reforma në drejtësi duhet të bëhet me partneritetin mes gjykatave, KLD-së, qeverisë, Parlamentit”, theksoi Wollfarth, duke përshëndetur reformat ë bëra deri tani.
“Megjithatë nevojiten përpjekje ende të mëdha nga të gjithë aktorët për të përmirësuar. Asistenca për reformën gjyqësore ka qenë një nga detyrat  kryesore të Prezencës në Shqipëri”, tha Wollfarth. (LajmeShqip.com)