Lajme Shqip Saturday, 29 September 2012 16:32

TIRANË- Tregtarët serbë të armëve janë të preferuarit e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë në shitjen e armatimeve të tepërta që ka Ushtria Shqiptare dhe qe kapin vlerën e 200 milionë dollarëve.

Ky është denoncimi i radhës që PS bëri nëpërmjet deputetit Erion Braçe, i cili duke iu referuar dokumenteve zyrtarë, zbuloi këtë partneritet të fortë dhe dominues siç e quajti ai.

“Ka një komision të posaçëm për kategorizimin e kontixhentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve plasëse të hequra nga përdorimi. Ai drejtohet nga dy njohje të vjetra për çdo ushtarak dhe për çdo shqiptar që ka ndjekur me vëmendje ekspozimin dhe angazhimin e tyre në çështje shumë sensitive për Shqipërinë. Kryetar, kundëradmiral Kristaq Gerveni, Zv Kryetar- Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, funksione këto të mbajtura nga 2010 deri në fund të 2011, periudhë të cilës po i referohem. ‘Torta’ e madhe e pasurisë së Ushtrisë, veçanërisht gjatë viteve 2010, 2011 e në vijim është ndarë mes 3 kompanive. E para, ‘Montenegro Defence Industry’, e dyta, ‘UNIMESCO’, e treta, ndërmarrja shtetërore ‘MEICO’. Dy kompanitë e para kanë krijuar duopolin e fortë, nisur nga sasitë e kontraktuara dhe vlera e tyre. Disponueshmëria e Ministrisë së Mbrojtjës ndaj tyre ka qenë shumë e fortë, madje me shkrim, e dokumentuar”, tha Braçe.

Por cili është ‘backgroundi’ i këtyre kompanive të cilave i është dhënë drita jeshile duke tregtuar materialet e tepërta të Ushtrisë Shqiptare, të cilat, siç tha deputeti Braçe, janë pjesë e pasurisë kombëtare?

“Kompania ‘Montenegro Defence Industry’ është dega malazeze e të famshmes ndërmarrje të madhe serbe ‘YGOIMPORT’. Siç rezulton nga dokumentet shtetasi Zoran Damjanoviq është personi që i përfaqëson të dyja kompanitë si shoqëri tregtare, por edhe në marrëdhënie me Ministrinë e Mbrojtjes dhe ‘MEICO-n’ Nga një kërkim i thjeshtë rezulton se ‘MDI’ ka pasuar një tjetër kompani që operonte rëndë në tregtinë e armëve e municioneve në Ballkan, ‘TARA-n’. Tek ‘TARA’ i gjeje të gjithë, nga emrat më të përmendur të trafikut të armëve në botë deri tek lidhjet mes kompanive që të sjellin në transaksionin që i parapriu e më pas u zbulua me Gerdecin. Kompania ‘UNIMESCO’ është më e njohur për ju për shkak të skandalit që shpërtheu në mënyrë sporadike muaj më parë e që tani, nën dritën e dokumenteve zyrtare rezulton i provuar, si konflikt i pastër interesi i zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, favorizim për këtë shkak në mallra e çmime në një seri kontratash, mbyllje sysh në dokumentacionin e pamjaftë në raport me kërkesat strikte të ligjit”, tha deputeti socialist.

Sipas Erjon Braçes ky aktivitet ku serbët janë zgjedhur si partnerë në shitblerjen e armëve nga Ministria e Mbrojtës mbart një mori problematikash.

“Lëshimin e kësaj pasurie tek një marrëdhënie shumë e fortë, dominuese me tregtarë serbë të përfshirë dhe pjesëmarrës në linjat me të errëta të tregtisë së armëve; korrupsionin në përcaktimin e çmimeve të armëve, municioneve, eksploziveve të ndryshme e favorizuese për kompanitë e mësipërme, madje dhe në raport me vetë kompaninë shtetërore ‘MEICO’. Në këtë pikë, ja vlen të pyesësh: A e ka ndjekur apo hetuar këtë marrëdhënie Shërbimi Informativ Ushtarak?”, thotë Braçe.(LajmeShqip.com)