Lajme Shqip Friday, 21 September 2012 17:00

Prishtinë – Pas vdekjes së një paciente, para dy ditësh nga Virusi i Nilit Perëndimor, sot janë shfaqur edhe tre raste tjera të prekur nga ky virus. Sipas drejtuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pas analizave të bëra në laboratorët e IKSHP-së, është konfirmuar se tek tre persona kanë rezultuar pozitiv, me VNP-në.

Të njëjtit janë dërguar në Klinikën Infektive dhe që aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore, pos njërit që është në gjendej të rëndë klinike.

Drejtori i Klinikës Infektive, Prof.dr. Shemsedin Dreshaj, ka bërë të ditur se personat e infektuar janë të moshës së shtyrë dhe vijnë nga Prishtina, Gjilani dhe Prizreni.

Ndërsa, sipas drejtorit të IKSHP-së, Naser Ramadanit situata epidemiologjike është regjistruar në 6 qendra të Kosovës dhe shkaku i vetëm është pickimi i mushkonjave dhe bartja përmes tyre. Ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës që të ruhen nga pickimi i mushkonjave dhe në rastet kur pickohet të lajmërohen menjëherë tek qendrat familjare.

Ramadani ka thënë se IKSHP-ja, Klinika Infektive dhe Ministria e Shëndetësisë kanë marr masat e duhura për të parandaluar ndonjë epidemi me shkallë të gjerë.(LajmeShqip.com)