Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 12:30

Prishtinë – Eurodeputetët Ulrike Lunacek, Tanja Fajon dhe Hannes Swoboda i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të fillojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, pa u vonuar.

Tre deputetë të Parlamentit Evropian, Ulriche Lunacek (raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian), Tanja Fajon (raportuese për liberalizim të vizave në Parlamentin Evropian) dhe Hannes Swoboda (kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, Grupi Punues për Ballkanin Perëndimor) i kanë dërguar një letër Sandor Pinter, ministër i Brendshëm i Hungarisë, vendi që aktualisht kryeson Bashkimin Evropian, duke kërkuar që procesi i liberalizimit për Kosovën të fillojë pa vonesa.

Tre eurodeputetët i kanë bërë thirrje zyrtarit hungarez që për këtë çështje t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së para takimit të Këshillit të Ministrave, neser më 12 maj.

“Duke pasur parasysh këtë dhe përkushtimin e fuqishëm të Presidencës hungareze ndaj integrimeve evropiane për Ballkanin Perëndimor, ne ju kërkojmë si president i Këshillit t’u bëni thirrje vendeve anëtare që të mos e vonojnë më gjatë procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën dhe të hapin dialogun e vizave sa më parë që të jetë e mundur. Ne do t’ju jemi falënderues nëse përmbajtjen e kësaj letre do t’ua paraqitni të gjitha shteteve anëtare, para fillimit të mbledhjes së Këshillit për Drejtësi dhe Çështje të brendshme që do të mbahet më 12 maj”, thuhet në letrën e eurodeputetëve.

Luancek, Fajon dhe Sëoboda kanë kërkuar, po ashtu, që Komisioni Evropian menjëherë të përgatisë kriteret që Kosova duhet t’i përmbushë për të përfituar udhëtimin e lirë në shtete anëtare të BE-së.