Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 12:30

Tiranë – Kuvendi nisi shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të Partisë Socialiste Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj dhe autorizimin për nisjen e ndjekjes penale ndaj tyre lidhur me rolin në ngjarjet e 21 janarit.

Pas paraqitjes së raportit të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve nga ana e deputetit Viktor Gumi, sikurse pritej e morën fjalën njëri pas tjetrit, tre deputetët të cilët dhanë shpjegimet e tyre rreth kërkesës së organit të akuzës, që kërkon nisjen e hetimeve.

Deputeti Taulant Balla, që e mori fjalën i pari, tha se së bashku me grupin e PS-së, ai do të votojë për heqjen e imunitetit të tij parlamentar. “Jam i hapur për të qenë nën hetim dhe për t’iu bashkuar hetimeve të Prokurorisë për ngjarjet e 21 janarit”, theksoi Balla.

Ndërsa deputeti tjetër socialist, Tom Doshi, për të cilin është kërkuar heqja e imunitetit, pasi bëri një kronologji të veprimeve të tij në 21 janar, duke theksuar se kurrë nuk ka bërë thirrje për dhunë, konfirmoi gatishmërinë për t’iu përgjigjur kërkesës së organit të akuzës për ndjekje penale. “Pa imunitet jam më i qetë, biznesi im ka qenë gjithmonë me ilaçe, por ilaçi më i mirë në këtë botë është drejtësia dhe shpresoj që shqiptarët të shërohen nga ky ilaç” theksoi deputeti Doshi.

Edhe deputeti Baraj duke mbështetur parafolësit tha se 21 janari është ngjarja më e rëndë e ndodhur pas 20 vjetësh, pasi qytetarët u qëlluan në protestë.

Më 23 janar, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit nisjen e procedurave për heqjen e imunitetit për tre  deputetët e PS-së dhe nisjen e ndjekjes penale ndaj tyre me akuzën për “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”.