Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 17:10

Tiranë – Deputetja e Partisë Demokratike, Arenca Trashani, theksoi sot se, “përdorimi i gjuhës së ashpër nga ana e kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe përpjekja për të kërcënuar gjyqësorin me deklaratat e tij, ishin shumë të papërshtatshme”.

“Akuzat e ashpra nuk janë frytdhënëse në kuadër të bashkëpunimit midis pozitës dhe opozitës. Të sulmosh një institucion të pavarur nuk kontribuon aspak në një debat të mirëfilltë dhe nuk bën asgjë për progresin e Shqipërisë”, tha Trashani në një deklaratë për shtyp.

Sipas saj, gjuha e ashpër nuk vë në lëvizje atë për të cilën është rënë dakord që të kthejmë pas kohën e humbur prej dy vitesh në Shqipëri, kur shqiptarët pritën përfundimin e këtij bllokimi.

“Të gjithë politikanët kanë përgjegjësi për respektimin e shtetit ligjor dhe respektimin e vendimeve të gjykatave. Ata duhet të japin shembullin e tyre në marrëdhënien me gjyqësorin, qytetarët e meritojnë një gjë të tillë dhe bashkësia ndërkombëtare pret pikërisht këtë”, tha ajo.

Standardet evropiane, vijoi ajo, na mësojmë se në vend që të akuzojmë gjyqtarët më mirë të pranojmë vendimin e gjykatës.

“Halli i zotit Rama nuk është dënimi i atyre deputetëve, që nga përfaqësues i ka kthyer zyrtarisht në shpifës përsëritës, por frika e rrëzimit të shpifjeve”, tha Trashani.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, në fjalën e mbajtur dje në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar socialist i vlerësoi si të njëanshme vendimet e gjykatave, të cilat kanë dënuar me gjoba deputetët e PS-së, të paditur nga deputetët e Partisë Demokratike.