Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 15:08

Vlorë – Një foto e rrallë, realizuar në vitet 1920, përcjell pamjen e bregdetit të Ujit të Ftohtë në atë periudhë, ku spikasin qartë ato, që cilësoheshin “Limane” dhe shërbenin për ankorimin e mjeteve lundruese të përmasave të ndryshme. 
Mes tyre është edhe zona, ku sot ndodhet rezidenca qeveritare, por që sipas studiuesit vlonjat, Pirro Stefa, dikur furnizoheshin çisternat që eksportonin drejt Italisë naftën e Kuçovës. 
Në një nga kodrat dominuese të këtij bregdeti, spikat vetëm një godinë, vila e Qazim Koculit, një nga personazhet kryesore të kohës, protagonist në zhvillimet patriotike në Vlorë në fillimin e shekullit të kaluar. Vila që ekziston edhe sot, i ishte dhuruar atij nga qeveria e kohës për kontributin në Luftën e Vlorës, si një nga drejtuesit e saj.
Bregdeti, sikundër duket dhe në foto, përshkohej nga një rrugë e ngushtë e paasfaltuar, pjesë e aksit rrugor Vlorë – Sarandë, e cila u ndërtua në periudhën 1916 – 1918 nga trupat italiane të pushtimit dhe robërit austriakë.
Kjo tablo e bregdetit të Ujit të Ftohtë e asaj kohe, vijoi e njëjtë deri në vitet e para pas çlirimit të vendit në 1944. Në të mungonin investime të tjera, pasi sikurse thotë Stefa, kjo zonë e bregdetit nuk shërbente si zonë banimi, sepse nuk preferohej nga banorët e qytetit. Vlora e asaj kohe shtrihej në pjesën e vjetër, disa kilometra larg vijës bregdetare.

Sot pamja ka ndryshuar dhe bregdeti i Ujit të Ftohtë është transformuar tërësisht, duke u shndërruar në një zonë rezidenciale e mbushur me vila të shumta me arkitekturë moderne, një hapësirë e preferuar jo vetëm për vlonjatët por edhe për qytetarë nga rrethe të tjera.  Studimet e realizuara në këtë pjesë të bregdetit dhe investimet e shumta vitet e fundit, e kanë ndryshuar tërësisht pamjen e saj.
Aktualisht përgjatë këtij bregdeti po zbatohen projekte të godinave 7 – 8 katëshe me mjedise banimi e aktivitete të ndryshme tregtare dhe shërbimi, ndërsa investime të shumta janë realizuar për ndërtimin e një strukture turistike të pasur.
Perspektiva e bregdetit të Ujit të Ftohtë, sipas drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë e Vlorës, Odise Zoto është mjaft optimiste. Sipas tij janë në proces të realizimit projekte të ndryshme hoteliere dhe komplekse turistike, që synojnë t’a shndërrojnë atë, duke i dhënë një dimension tjetër zhvillimi.