Lajme Shqip Thursday, 07 November 2013 21:36

Ditë tragjike plot vdekje, zie, lotësh që mban kryefjalën miniera, ka qenë kjo e enjte nëntori për zonat juglindore të vendit. 7 persona kanë gjetur vdekjen vetëm ditën e sotme në minierat e Pogradecit dhe Librazhdit. 

Në Pogradec, ngjarja është shënuar orëve të mesnatës në një minierë të braktisur në fshatin Beragozhd, kurse në Librazhd, ngjarja ndodhi sot pasdite kur një masiv kromi në minierën e Gurrës zuri nën vete 2 punonjës.

Pogradec, 5 viktima
Pesë të rinj nga një trung familjar kanë humbur jetën në një minierë në fshatin Beragozhd, komuna Dardhas në qytetin e Pogradecit. 

Viktimat janë tre vëllezërit Edison, Ledjon dhe Nertil Hamolli, përkatësisht 23, 24 dhe 28 vjeç. Gjithashtu, kanë humbur jetën edhe dy vëllezërit Sazan dhe Arjan Hamolli kushërinj me tre të parët. 

Të rinjtë ishin futur në minierë për të nxjerrë skrap. Dyshohet se shkak i vdekjes së të rinjve është bërë një gjenerator, me anë të të cilit vihej në punë një pompë që shërbente për nxjerrjen e ujit jashtë minierës. Tymi i gjeneratorit dyshohet t’i ketë asfiksuar të rinjtë. 

Policia dhe shtabi i emergjencave ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa pritet mbërritja e grupit të kërkim-shpëtimit për nxjerrjen e viktimave të tjerë. 

Deri tani është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të Edisonit dhe Nertil Hamollit, 25 vjec. 

Nxjerrja e trupave është bërë e vështirë jo për shkak të thellësisë së minierës, por për shkak të pranisë së madhe të gazit në gjatësinë e saj prej më shumës e 300 metrash. Në minierën e Pogradecit pritet të nxirren nga galeria trupat e 3 të rinjve, por vështirësi janë hasur për shkak të nivelit të lartë të gazit karbonik që ka për momentin. 

BASHKËSHORTJA E HAMOLLIT: ARJANI ËSHTË GJALLË
Ora 18:30–
 Bashkëshortja Arjan Hamollit, 28-vjecarit njërit prej pesë personave që mbetën të bllokuar në minierën e Dardhasit në Pogradec pretendon se i shoqi është gjallë. Ida Hamolli ka deklaruar për grupin e shpëtimit se i ka telefonuar Arjanit dhe dikush nga ana tjetër i ka mbyllur telefonin. 
Bashkëshortja këmbëngul që ai është gjallë dhe ka tentuar që të futet vetë në galeri, por është penguar nga policia. Ndërkohë nga grupi i kërkimit bëhet me dije se kërkimet për nxjerrjen e tre trupave nga miniera do të rifillojnë në orën 22:00 pasi të ulet niveli i gazit brenda galerisë. Cifti Hamolli kane nje femije te vogel te mitur, vetem 2 vjec.

MEI JAP DETAJE MBI OPERACIONIN PER NXJERRJEN E TRUPAVE
Ora 17:45– Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka dhënë detaje lidhur me aksionin për nxjerrjen e trupave të pa jetë që janë bllokuar në dy miniera në atë fshatit Gurrë në Librazhd dhe në Dardhas të Pogradecit. Kjo ministri bën me dije se janë nxjerrë nga miniera dy viktimat e Librazhdit dhe dy nga viktimat që humbën jetën në minierën e braktisur në Dardhas. 

MEI bën me dije se do të vazhdojë operacioni për të nxjerrë nga miniera edhe tre trupat e tjerë, por për momentin aksioni është ndërprerë për shkak të nivelit të lartë të gazit. MEI thekson se aksioni do të rifillojë sapo niveli i gazit të ulet, ndërkohë që bëhet me dije se po futet edhe ajër nga jashtë për të ulur rrezikshmërinë.