Lajme Shqip Friday, 31 August 2012 16:36

Tiranë – Grupi parlamentar i Partisë Socialiste (PS), i drejtoi të premten një letër kryeministrit Sali Berisha, ku i kërkon të respektojë kërkesën e deputetëve të opozitës për një interpelancë urgjente lidhur me çështjen e shfrytëzimit të burimeve të kromit në Bulqizë.

“Grupi parlamentar i PS-së u ka kërkuar të paraqiteni dy herë në interpelancë urgjente për Bulqizën, për të dhënë shpjegime para parlamentit rreth punës suaj për të ndalur rrethanat kriminale dhe pasojat tragjike me minatorët dhe mineralin”, thuhet në letrën e deputetëve të majtë, e nënshkruar nga nënkryetari i grupit socialist, Saimir Tahiri.
Letra thekson se me kërkesën e datës 9 korrik 2012 i është kërkuar informacion Ministrit të Ekonomisë lidhur me pagesën ose jo të detyrimeve të kompanisë ACR-së ndaj shtetit shqiptar.

“Heshtja e kryeministrit ndaj situatës në Bulqizë nuk mund të ketë shpjegim tjetër veç kapjes së shtetit, korrupsionit dhe nënshtrimit ndaj karteleve mafioze që kanë zaptuar Bulqizën, por njëkohësisht është dhe simbol i injorimit të parlamentarizmit dhe detyrimit Tuaj kushtetues për të dhënë llogari para deputetëve”, thuhet ndër të tjera në letrën e deputetëve të PS-së. (LajmeShqip.com)