Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 10:44

Prishtinë-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka shpallur ditën e sotme ditë zie shtetërore, në nder të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Të shtunën nga një ortek që u rrokullis mbi shtëpitë në fshatin Restelicë kanë humbur jetën 9 persona, një vajzë pesëvjeçare është nxjerrë e gjallë, ndërsa dyshohet edhe për një të ngujuar nën borë.

Ekipet e shpëtimit kanë ndërprerë mbrëmjen e së dielës kërkimet për të ngujuarin e fundit për shkak të motit të keq. Kërkimet rinisin sot, ndërkohë që autoritetet qeveritare nuk kanë përjashtuar rrezikun nga orteqe tjera në këtë zonë.

Kosova është kapluar nga moti i ftohtë, ngjashëm sikurse edhe shumë shtete tjera në Ballkan dhe në Evropë. Viktimat e Restelicës janë të parat në vend që pësojnë nga fatkeqësia natyrore, ndërkohë që në Evropë numri i të vdekurve nga të ftohtët ka kaluar 500-shin. (REL)