Lajme Shqip Saturday, 22 August 2015 09:48

Në shtëpinë e Ramiz Hazirajt janë hapur dyert e mortit! Janë bashkuar burrat e fisit, miqtë, dashamirësit dhe fqinjët e familjes fatkeqe, e cila humbi fëmijën e madh në përpjekjen jetike për të ndryshuar fatin e saj, pse jo, edhe të familjes.

E madhja e pesë fëmijëve, Elanda Haziraj, shkolluar për Letërsi në Universitetin e Tiranës, e pashpresë për të vënë në jetë, jo vetëm diplomën e saj, por as ëndrrat e saj në këtë vend, rrugëton drejt Gjermanisë bashkë me të vetmen pasuri të shpirtit të saj, Saimirin, pikërisht për të bërë të mundur ndryshimin përgjithnjë të jetës së tyre. Por, ndërsa ditën e mërkurë kishte marrë përgjigjen negative për kërkesën e saj për azil, ajo bie pre e trenit të mallrave, bashkë me të fejuarin e saj, djalin që kishte njohur dhe dashuruar në universitet.

Nga të dhënat që vijnë nga njerëzit e familjes së saj në Kukës, mësohet se vajza është zënë e gjitha poshtë trenit, ndërsa Saimiri, djali 25-vjeçar, mësohet se ka pësuar dëmtime të shumta dhe deri ditën e djeshme ka qenë në koma. Por sipas informacioneve, saktësohet se djali ditën e djeshme është përmendur dhe mjekët gjerman të spitalit të Frankfurtit, mësohet se kanë dhënë shpresë për jetën e tij.

Nga burime pranë familjes së vajzës, bëhet me dije se në drejtim të morgut në Frankfurt, për të bërë të mundur tërheqjen e trupit të vajzës, janë nisur shumë njerëz të njohur të familjes Haziraj, kuksianë të cilët gjenden në Gjermani. Sipas të dhënave nga Kukësi saktësohet se është bërë e mundur të kryhen të gjitha procedurat deri pasditen e djeshme, ndërsa bëhet me dije se trupi i pajetë i 23- vjeçare, mund të mbërrijë në vendin tonë, ditën e sotme.

Familja Gjokpali

Ata duket se janë më të qetë, pasi kanë marrë sinjal që djali i tyre është gjallë. Kanë treguar gjithçka kanë dëgjuar nga ajo telefonatë e fundit me të fejuarën e djalit të tyre të vetëm, ndërsa ende nuk e kuptojnë se çfarë iu ka ndodhur djalit dhe të fejuarës së tij, ku vajza humbi jetën dhe 25-vjeçari, ditën e djeshme ka arritur të dalë nga koma.

Sipas të dhënave bëhet me dije se ato kanë qenë duke folur në telefon kur edhe është dëgjuar një zhurmë e fortë. Menjëherë, kanë treguar se, iu ka shkuar mendja te fatkeqë- sia, por pa menduar se gjithë ajo zhurmë do iu rrëmbente nusen e djalit dhe do iu kërcënonte jetën e djalit të vetëm të tyre.

Saktësohet se lajmin, i ati i Saimirit e ka konfirmuar pas disa orësh nga njerëzit e afërt që ndodheshin në të njëjtin kamp: “Kishin marrë në telefon gruan, diku rreth orës 3 të pasdites. Kështu më tha gruaja: Kam folur me çunin edhe kur isha duke folur në telefon, aty kishte dëgjuar zhurmë të madhe dhe ulërima në atë moment kishte ndodhur edhe përplasja”, tregon publikisht Refik Gjokpali.

Pasi gruaja i ka treguar bashkëshortit të saj se çfarë kishte dëgjuar në telefon, ai ka mbërritur në shtëpi dhe ka nisur kontaktet me njerëzit që gjendeshin atje, të cilët edhe i kanë treguar gjithçka ka ndodhur. Ata ditën e djeshme janë nisur në drejtim të Kukësit për të qenë pranë familjes Haziraj në dhimbjen e madhe, ndërsa bëhet me dije se dy të rinjtë, që kishin bashkuar dy familjet, e kishin shpallur fejesën e tyre rreth dy vite më parë.

Tragjedia e shumëfishtë në familjen Haziraj, nis pikërisht nga pamundësia për t`i siguruar vajzës së tyre një mundësi për të vazhduar jetën në Shqipëri. Djali dhe vajza, pasi kishin mbaruar fakultetet respektive, ishin vendosur në Tiranë me shpresën e madhe se do ia arrinin të gjenin ndonjë punë sa për të jetuar.

Saimiri dhe Ela, iu kanë treguar familjarëve të tyre, para se të ndërmerrnin udhëtimin tragjik të jetës së tyre, se e kishin të pamundur të punësoheshin e për pasojë do të provonin pikërisht të shkonin në Gjermani, me shpresën se do të fitonin statusin e azilantit dhe të vendoseshin në Gjermani.

Sipas të dhënave që vijnë nga Kukësi bëhet me dije se në familjen prej shtatë pjesëtarësh të familjes Haziraj, të cilët janë banorë të lagjes 6, në Kukës, asnjë nuk ishte i punësuar askund. Ata merrnin vetëm një asistencë, ndërsa në të gjithë fisin e tyre askush nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë se si familja ka arritur të shkollojë në Tiranë edhe vajzën që kishte përfunduar fakultetin e Gjuhë- Letërsisë, me dëshirën për të shërbyer si mësuese.

Të njëjtat të dhëna tregojnë se edhe tri motrat e tjera dhe vëllai i vetëm i Elandës, janë në shkollë në Kukës, ndërsa asnjë e ardhur nuk hyn në shtëpinë e tyre.