Lajme Shqip Tuesday, 03 July 2012 15:35

Vjenë – Del nga koma Florije Peci, studentja e plagosur në aksidentin tragjik të Himarës së 21 majit. Mësohet se Peci është zgjuar mbrëmjen e djeshme dhe sipas bluzave të bardha të spitalit austriak ku ajo është e shtruar, truri i saj ka reaguar pozitivisht pas testeve të bëra.

Sipas të njëjtave burimeve, Peci pas përmendjes ka komunikuar me familjarët e saj duke dhënë shenja të një shëndeti mendor të pacënuar, ndërkohë që pritet transportimi i saj në një tjetër spital në Austri, për një rikuperim më të plotë fizik. Florije Peçi dhe Eriselda Gubere, dy vajzat e plagosura në aksidentin që në Himarë u transportuan më 24 Maj drejt Vjenës, për një mjekim më të specializuar, Ndërkohë që Eriselda Gubere, doli nga koma më 15 Qershor.

Ambasadori Minallori: Zgjimi nga koma pa pasoja
Ambasadori shqiptar në Austri, Vili Minallori, në një lidhje telefonike për NEWS24, u shpreh se zgjimi i mbrëmshëm tregon se parametrat shëndetësor të Florijes janë shumë të mirë. “Përgjigjet e mbrëmshme treguan se nuk ka asnjë pasojë. Florija nuk ka pasur probleme të dëmtimit në tru, pasi mendohej se koma e zgjatur mund të kishte dëmtime në kokë, por fakti i mbrëmshëm e tregoi se ajo nuk ka pasoja”,- u shpreh Minallori.

Minallori theksoi se në zgjim, Florija u gjet pranë kujdesit të mjekëve austriak dhe atdhetarëve shqiptar që ndodhen në Austri, ndërkohë që shtoi I ka komunikuar mëngjesin e sotëm lajmin e lumtur dhe kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaci.

Tragjedia
Si pasojë e aksidentit tragjik të 21 majit, në Qafën e Vishës në Himarë, humbën jetën 13 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. 

Hetimet
Sipas hetimeve të policisë, shkak i aksidentit ishte shpejtësia tej normave dhe mosreagimi në kohë i shoferit të autobusit për të kontrolluar në kthesë shpejtësinë e mjetit. Por familjarët e drejtuesit të autobusit, Pellumb Cela, i cili humbi jetën në aksident, pretendojnë se autobusi nuk ishte në gjendje të mirë teknike. (B.W)