Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 13:22

Gjirokastër – Trafiku i qenieve njerëzore, përmes pikave të kalimit kufitar në Kakavijë, Sopikut në Gjirokastër apo doganës së Tre Urave në Përmet, ka ardhur në ulje për shkak të liberalizimit të vizave në vendet e zonës “Shengen” nga dhjetori i një viti më parë.

Burime zyrtare nga pikat doganore në jug të vendit shprehen se, krahasuar me përiudhën para heqjes së regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë, trafiku i qenieve njerëzore shënon shifrat më të ulta të  20 viteve të fundit.

Zëdhënësi i Policisë për Qarkun e Gjirokastrës, Gentian Mullai, tha se tentativat për kalim të paligjshëm të kufirit bëhen vetëm nga persona që për arsye të ndryshme u është ndaluar e drejta e hyrjes në Greqi, apo edhe nga adoleshentë.

“Nëse para liberalizmit të vizave numëroheshin 150 klandestinë në javë që tentonin hyrjen ilegale në Greqi, tani kjo shifër i përket harkut kohor të një viti”, tha Mullai.

Zëdhënësi i uniformave blu në Gjirokastër bëri të ditur gjithashtu se me procesin e pajisjes së shtetasve shqiptarë me pasaportat e reja biometrike, edhe policia greke nuk sjell më pengesa për qytetarët shqiptarë.

“Tani që ka kaluar thuajse një vit nga hyrja në fuqi e vendimit për liberalizimin e vizave, shërbimet kufitare të Greqisë nuk lejojnë vetëm kalimin e shtetasve shqiptarë që kanë mangësi në dokumentacion por edhe atyre që u është ndaluar e drejta e hyrjes në vendet  e hapësirës “Shengen”, tha Mullai.