Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 09:00

Beograd – Prokurori i Serbisë për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviq thotë se e ka dëshmitarin, që dyshohet se ka marrë pjesë në trafikim të organeve të të burgosurve serbë nga ana e ish pjesëtarëve të UÇK-së, në fund të viteve të 90-ta.

“Ne e kemi një dëshmitar, i cili ka dëshmuar për procedurën mjekësore, të bërë në pjesën veriore të Shqipërisë, që përbëhej nga marrja e organeve nga serbët e rrëmbyer gjatë konfliktit të viteve 1998-99 në Kosovë”, i tha Vukçeviq agjencisë AFP, transmeton Rel.

Sipas tij, ky dëshmitar “e ka përshkruar operacionin e zemrës së një të burgosuri serb në lokacionin afër Kukësit, në fund të viteve të 90-ta”, dhe transportimin e organit në aeroportin Rinas, afër Tiranës.

Ky dëshmitar tha se zemra “ishte shitur në tregun e zi”, tha Vukçeviq, duke shtuar se njeriu “e kishte përshkruar procedurën në detaje” dhe kishte pretenduar se ai personalisht kishte marrë pjesë në këtë.

Lidhur me akuzat për trafikim të organeve nga ish pjesëtarët e UÇK-së në Kosovë po zhvillohen hetime nga një prokuror i EULEKS-it.

Zyrtarët më të lartë në Kosovë dhe Shqipëri i kanë hedhur poshtë kategorikisht pretendimet për trafikim të organeve, që për të parën herë ishin paraqitur në raportin e Dick Martit në Këshillin e Evropës, por janë shprehur në mbështetje të hetimeve gjithëpërfshirëse për këtë rast.(LajmeShqip.com)