Lajme Shqip Friday, 01 November 2013 12:17

Hetimet e fundit të prokurorisë për abuzimet me detyrën në Ministrinë e Punës, kanë zbuluar fakte skandaloze, sesi tre persona u punësuan fillimisht si specialistë në këtë ministri dhe më pas u pajisën me vizë amerikane për një trajnim. Ka dyshime janë paguar rreth 30 mijë euro për person për të shkuar në SHBA, ndërsa akuza ende nuk i ka gjetur për t’i pyetur, pasi rezultojnë në emigracion, në të zezë.

Gazeta Shqip ka mësuar nga Prokuroria e Përgjithshme se gjithçka ka filluar rreth dy vite më parë. Tre persona, dy meshkuj dhe një femër, të gjithë nga Elbasani, janë “punësuar” në Ministrinë e Punës. Nga verifikimet e mëvonshme rezultoi se askush nuk kishte lidhje me njëri-tjetrin, pavarësisht se ishin banues në Elbasan. Ata u punësuan specialistë të thjeshtë në Ministrinë e Punës, gjatë kohës që drejtohej nga demokrati Spiro Ksera. Akuzaka provuar punësimin e shkurtër të tyre, në bazë të dokumenteve të marra së fundmi, pasi ish-drejtuesit e kësaj ministrie nuk pranonin të bashkëpunonin. Disa muaj më pas, kanë filluar procedurat për dërgimin e tyre në SHBA, siç ishte edhe plani fillestar. “Punonjësit”, apo zyrtarët e ministrisë së Punës, kanë filluar punën për të gjetur ftesat për një trajnim në Amerikë.

“Nga verifikimet e Njësisë Task-Forcë në Tiranë, ka rezultuar se drejtuesit e Ministrisë së Punës kanë gjetur një aktivitet në SHBA, i organizuar nga një shoqatë. Kjo shoqatë, asnjëherë më parë nuk ka pasur korrespondenca me Ministrinë e Punës Shqiptare”, pohojnë burimet nga akuza qendrore.
Sipas tyre, ky angazhim i madh i zyrtarëve të ministrisë ka ardhur si pasojë e shpërblimeve të majme që do të jepnin personat që do të shkonin në SHBA. /albeu/