Lajme Shqip Thursday, 09 August 2012 13:20

Prishtinë -Ambasadorja e re e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Jacobson, do të mbërrijë në Prishtinë gjatë kësaj jave. Para ardhjes ajo prezantohet para qytetarëve kosovarë për herë të parë nëpërmjet një videoje speciale.

“Kam studiuar dhe gjuhën shqipe, dhe unë jam e bindur që ju do më ndihmoni për ta mësuar edhe më mirë”, thotë ajo duke folur shqip në videon e dërguar sot nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, ku në serbishte thotë se “do dëshiroja të mësoj serbisht”.

“Pres me padurim të punoj në krye të stafit të përkushtuar të Ambasadës Amerikanë në Prishtinë, si dhe të bashkëpunoj me qeverinë dhe popullin e Kosovës për t’i përforcuar më tej lidhjet tona të miqësisë”, shprehet ambasadorja e re e SHBA-së në Kosovë.

“Misioni im do të vazhdojë të jetë ai i një partneri të fuqishëm në përpjekjet e Kosovës për forcimin e një demokracie shumetnike dhe për të ndërtuar një ekonomi të suksesshme drejt rrugës evropiane”, thekson ambasadorja e re e SHBA-ve, Jacobson.

Ambasadorja e re amerikane në Kosovë thotë se ka punar 24 vjet në shërbimin diplomatik.  Ajo pason në këtë detyrë ambasadorin Christopher Dell. (LajmeShqip.com)