Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 12:07

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka bërë publik qëllimin e tij për të nominuar Tracey Ann Jacobson në postin e ambasadores së SHBA-së në Republikën e Kosovës. Kjo është bërë e ditur zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë.

Ambasadorja Jacobson, një diplomate karriere nga Shërbimi i Lartë Diplomatik, momentalisht shërben si zëvendës drejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm (FSI).

Sipas informacioneve zyrtare nga Shtëpia e Bardhë, Jacobson më parë ka qenë ambasadore e SHBA-së në Taxhikistan (2006-2009) dhe në Turkmenistan (2003-2006), ndërsa para këtyre detyrave ka shërbyer edhe si zëvendës shefe e misionit në Ambasadën Amerikane në Rigë të Letonisë.

Ambasadorja Jacobson ka shërbyer edhe si zëvendës sekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë.

Pasi të jetë konfirmuar nga Senati, Tracey Ann Jacobson do të zëvendësojë Christopher Dellin, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Kosovë prej vitit 2009, ndërsa sipas informacioneve të publikuara më parë nga Koha Ditore, ai pritet të vazhdojë punën në Gjermani, në postin e zëvendës komandantit në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Afrikën, që Shtabin e ka në Shtutgart të Gjermanisë.

“Duket se më në fund do të më bëhet të jetoj në Gjermani për postin tim të ardhshëm, si zëvendëskomandant i Komandës për Afrikë në Stuttgart. Është e vetmja komandë e unifikuar ushtarake e SHBA-së me një zëvendës civil”, pat thënë Dell në një mesazh të postuar në rrjetin social, Facebook, pat raportuar ‘Koha Ditore’ nëntorin e kaluar.

Sipas praktikës së administratës, pas bërjes publike të nominimeve brenda javës lista me emrat i përcillet Senatit për konfirmim. Pasi të jetë konfirmuar nga Senati, kandidati bën betimin, dhe e tërë procedura prej nominimit deri në betim mund të zgjatë deri në dy muaj, por në disa raste edhe më shumë.

Ambasadori i tanishëm i SHBA-së, Dell, ka shërbyer dy herë në Kosovë, në krye të përfaqësimit diplomatik amerikan, së pari si shef i Zyrës Amerikane, në vitet 2000-2001, dhe tani, si ambasador i SHBA-së.

Megjithatë, gjatë mandatit të dytë në Kosovë, ambasadori Dell ka nxitur edhe reagime negative, posaçërisht në atë që është parë te jetë ndërhyrje në proceset politike dhe ekonomike në vend, si dhe me sulmet e hapura ndaj medies së lirë – para së gjithash gazetës ‘Koha Ditore’.