Lajme Shqip Monday, 24 September 2012 11:01

Tiranë – Nisur nga statistikat shqetësuese të fenomenit të gjakmarrjes javëve të fundit, Avokati i Popullit i ka nisur një letër rekomanduese Këshillit të Ministrave për “marrjen e masave të menjëhershme në zbatim të nenit 7 të ligjit nr. 9389, datë 04.05.2005 “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes” për përgatitjen dhe nxjerrjen nga Këshilli i Ministrave të akteve nënligjore të parashikuara në nenet 4, 5 dhe 6 të këtij ligji.

Në një njoftim të Avokatit të Popullit thuhet se ligji në fjalë është miratuar në vitin 2005, me qëllim marrjen e masave për parandalimin e fenomenit të gjakmarrjes. Por, në bazë të informacionit që Avokati i Popullit ka marrë nga Këshilli i Ministrave, rezulton se nga miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit, nga drejtuesi i Këshillit Koordinues nuk është marrë asnjë iniciativë për organizimin dhe mbledhjen e këshillit, i cili ndër të tjera, përcakton detyrat dhe masat konkrete për organet ekzekutive e ato të pushtetit vendor.

Sipas AP-së, ky ligj ka si qëllim të organizojë dhe të koordinojë më mirë masat dhe luftën e organeve shtetërore, institucioneve të tjera shoqërore, shkencore, fetare etj., si dhe të përcaktojë një strategji afatgjate për parandalimin dhe eliminimin e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri.

Ligji parashikon edhe nxjerrjen e akteve nënligjore, dhe sipas AP-së, nxjerrja e këtyre akteve nënligjore do të krijonte mundësinë që ligji të vihej në zbatim.

Vetëm pak ditë më parë, kryeministri i vendit, Sali Berisha propozoi ndryshime ligjore sa i përket fenomenit të gjakmarrjes, duke kërkuar që për ata që vrasin për gjakmarrje, vrasin apo plagosin një punonjës policie, të parashikohet dënimi maksimal me burgim të përjetshëm.(LajmeShqip.com)