Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 10:33

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama përshëndet asgjësimin e Osama Bin Ladenit, duke e cilësuar si një nga fitoret më të mëdha të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Topi e ka cilësuar si përmbushjen e misionit të vënies së drejtësisë në vend nga forcat amerikane, asgjësimin përfundimtar të Osama Bin Ladenit, duke arritur në këtë mënyrë shënimin e njërës prej fitoreve më të rëndësishme në luftën e gjatë e të vështirë kundër terrorizmit ndërkombëtar.

“Si President i Republikës së Shqipërisë dhe në emër të mbarë popullit shqiptar, dëshiroj t’ju shpreh përgëzimet më të sinqerta për arritjen e këtij suksesi, që më ngazëlleu dhe në të njëjtën kohë më bëri të ndihem krenar që vendi im është rreshtuar përkrah aleatit dhe mikut më të madh të Shqipërisë: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit, që besoi në luftën pa kompromis kundër së keqes, kundër terrorizmit duke mbrojtur parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë anembanë botës si dhe vendosjen e sigurisë, paqes dhe qëndrueshmërisë në të katër anët e globit”, u shpreh Topi .

Presidenti Topi i ka shprehur homologut amerikan, Barack Obama, urimet më të sinqerta në emër të popullit shqiptar për këtë fitore të madhe dhe në të njëjtën kohë ka siguruar Obamën se Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë me devotshmëri angazhimet e saj në kuadër të NATO-s duke dhënë kontributin e vet në sfidat e ardhme për liri, demokraci si dhe për të ndërtuar një botë akoma edhe më të mirë për të gjitha kombet e të ardhmen e tyre.