Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 16:40

Ka ende politika dhe qarqe të caktuara që kanë projekte nacionaliste të cilat cënojnë vlerat e demokracisë.

Duke folur rreth situatës në veri të Kosovës, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka deklaruar se ka ende politika dhe qarqe të caktuara që kanë projekte nacionaliste të cilat cënojnë vlerat e demokracisë.

Duke folur në konferencën e Ministrave të Mbrojtjes të Kartës së Adriatikut, që po mbahet në Durrës, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka deklaruar se “në veri të Kosovës ka ende politika dhe qarqe të caktuara që kanë projekte nacionaliste që cënojnë vlerat e shenjta të demokracisë. Por ka shtuar se me rëndësi themelore mbetet një vullnet i qartë politik dhe refuzues ndaj çdo projekti të tillë izolimi, ndaj çdo ideje të tillë që tenton të rishpallë dhe të rivendos vija ndarëse etnike”.

Ndërkaq, duke folur për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në NATO, Topi ka thënë se Shqipëria konfirmon mbështetjen e plotë dhe dëshirën e madhe të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë edhe shtetin më të ri Kosovën, të bëhen pjesë e projektit të përbashkët Euro-Atlantik.

Nga ana tjetër, komandant suprem i NATO-s për Evropën, Xhejms Stavridis ka folur për sfidat, por nuk ka lënë pa përmendur edhe progresin që është arritur në Ballkanin Perëndimor gjatë 15 viteve të fundit.

Ndryshe gjatë paradites është mbajtur sesioni i parë i konferencës me temën “Bashkëpunimi rajonal: Sfidat dhe pritshmëritë e reja”, ku do të mbajnë fjalim rasti të gjithë ministrat e mbrojtjes, ndërsa në sesionin e dytë do të diskutohen “Operacionet paqeruajtëse: Mësimet e nxjerra dhe angazhimet në të ardhmen”. Në të dy sesionet do të flas edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.