Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 15:38

Tiranë-Presidenti Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi uron Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga për ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në mesazhin e publikuar në faqen e presidencës, kreu i shtetit nënvizon se ky është një vit i veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë, duke na bërë të ndihemi shumë krenarë jo vetëm për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për progresin e madh në ndërtimin e shtetit që Kosova dhe qytetarët e saj po arrijnë, drejt përfundimit të pavarësisë së mbikqyrur.

“Këto suksese janë arritur nga sakrifica të mëdha dhe shekullore të të gjithë shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri, duke bërë që dy vendet tona të jenë gjithmonë e më afër në të gjitha drejtimet”-thuhet në mesazh.

Duke konfirmuar për mbështetjen që Kosova do të ketë gjithmonë tek Shqipëria, qytetarët dhe shteti shqiptar, Topi shprehet se shteti i ri i Kosovës është njohur tashmë nga 87 shtete të ndryshme, por edhe është anëtarësuar në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore.

“Këto suksese, përpjekjet tuaja, si dhe vështirësitë e sfidat e reja që po kaloni janë pjesë e rrugës së pakthyeshme drejt integrimit euroatlantik që ju po synoni”-vijon mesazhi.

Presidenti siguron se “këtë rrugë do ta kalojmë së bashku hap pas hapi, duke bërë që integrimi i suksesshëm i dy vendeve tona do të çojë në paqe të qëndrueshme, demokraci të plotë, zhvillim ekonomik dhe shtet ligjor, kaq shumë të munguara dhe të dëshiruara në të gjithë rajonin e Ballkanit”. (LajmeShqip.com)