Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 16:29

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA), Yukiya Amano, i cili po zhvillon një vizitë pune në Tiranë.

Kreu i shtetit, pasi i shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e cunamit dhe shpërthimin bërthamor në Fukushima, vlerësoi kontributin konstant dhe rolin jetik të ANEA-s.

Gjatë bisedës, Presidenti Topi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit shumëvjeçar, si dhe partneritetin e suksesshëm midis ANEA-s dhe vendit tonë, bashkëpunim i cili daton që në vitin 1957, kur Shqipëria u bë anëtare e saj, duke përmbushur të gjitha detyrimet dhe duke zbatuar Konventat ndërkombëtare.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin me projekte konkrete të këtij organizmi ndërkombëtar që operon si pjesë e rëndësishme e Kombeve të Bashkuara në fushën e shëndetësisë, luftës kundër kancerit, mjekësisë nukleare, mbrojtjes së ambientit, si dhe në drejtime të tjera të rëndësishme.

Duke vënë në pah rolin e vyer të z. Amano në drejtimin profesional të ANEA-s, Kryetari i Shtetit nënvizoi kontributin e madh që kjo qendër shkencore e humane po vijon të japë në fushat e sigurisë, çarmatimit, për shëndetin njerëzor, por dhe për bujqësinë.

Ndërsa, duke theksuar se këto sfida mbeten të rëndësishme për Shqipërinë, sidomos për plotësimin e standardeve të saj bashkëkohore, Presidenti Topi shprehu “mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar edhe për projekte të tjera të Agjensisë në të ardhmen”.

Drejtori i Përgjithshëm i ANEA-s, Amano vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm me vendin tonë dhe përkushtimin e strukturave shtetërore shqiptare, si dhe siguroi Kreun e Shtetit për mbështetjen e organizatës që drejton në të gjitha nismat e projektet e Shqipërisë për përmirësimin e e mëtejshëm të të gjithë sistemit shëndetësor e kërkimeve shkencore.