Lajme Shqip Saturday, 03 September 2011 09:57

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një takim me Drejtoren e Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme dhe rolin që ka luajtur UNESCO për ruajtjen, evidentimin dhe vlerësimin e pasurive e vlerave kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Zyra e shtypit e Presidentit, bëri të ditur se, Presidenti Topi zhvilloi dje pasdite një takim të veçantë pune me Drejtoren e Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, në kuadrin e Samitit të 9-të të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore që po mbahet në Serbi.

Presidenti Topi vlerësoi lart edhe rolin dhe kontributin personal të Drejtores së Përgjithshme Bokova, duke shprehur besimin në përkushtimin dhe punën e autoriteteve dhe institucioneve shqiptare për të bërë të mundur që procesi i bashkëpunimit me UNESCO-n të vazhdojë me sukses.

“Kultura, historia, arti i popujve të ndryshëm kanë provuar që nëpërmjet ndërlidhjeve të tyre me ato të fqinjëve, nuk njohin kufi duke luajtur rolin e tyre të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm në ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëjetesës mes popujve dhe vendeve të Ballkanit”, vuri në dukje Presidenti Topi, duke shtuar se, “rajoni ynë, pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, ka fituar një paqe dhe siguri afatgjatë, duke u orientuar i tëri drejt integrimit në familjen e madhe evropiane”.

Duke diskutuar për temën e këtij Samiti të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore dhe rolin që luan arti modern e bashkëkohor, Presidenti Topi vuri në dukje nevojën e përfshirjes së Kosovës në këto takime dhe nisma rajonale, sepse vetëm duke forcuar lidhjet e gjithanshme, duke përfshirë edhe ato kulturore mes Kosovës dhe fqinjëve të saj si dhe komunikimi, pajtimi dhe orientimi drejt të ardhmes integruese do të jetë plotësisht i mundur dhe paqja, harmonia e begatia do të karakterizojnë të ardhmen e rajonit tonë, aq shumë të trazuar në të shkuarën.

Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova vlerësoi bashkëpunimin e efektshëm me institucionet shqiptare dhe garantoi se, organizata që ajo drejton do të vazhdojë të ndihmojë e të mbështesë vendin tonë në strategjitë kombëtare dhe projektet e veçanta.

Bokova theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e Samitit të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Viminacium, për rritjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve të mira mes vendeve të rajonit, veçanërisht atyre kulturore e artistike, duke nënvizuar se vlerat e pasuritë e përbashkëta kulturore dhe historike të popujve ballkanikë, shërbejnë si mjete të efektshme bashkimi dhe ndërveprimi mes kulturave të ndryshme.