Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 10:51

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi mbajti një fjalim gjatë konferencës “Mardhëniet shqiptaro-amerikane, ndëtimi i të ardhmes”- ku shprehu gjithë mosmiratimin e tij për sjelljen e klasës politike në kohën kur kërkohet më shumë se kurrë bashkëpunim reciprok.

“Politikanët tanë shfaqen në publik idhtarë të vlerave perëndimore; në praktikë disa prej veprimeve dhe vendimeve të tyre nuk gjejnë përputhje me këto standarde demokracie.”-dekaloi kreu i shtetit shqiptar.

“Sjellja e dyzuar, – me distancë të madhe midis të folurës dhe praktikës, – duhej të ishte tipar i kapërcyer tashmë i tranzicionit. Shpeshherë dëgjojmë të thuhet se qytetarët janë disa hapa përpara politikës për nga vizioni i tyre për vendin dhe sakrificat që ata bëjnë për të rifituar kohën e humbur.”-deklaroi kreu i shtetit Topi.

Topi i kujtoi klasës politike në vend se “Sot, Shqipëria në NATO dhe aspiruese për në Bashkimin Evropian meriton të ketë një sjellje të re politike, një mënyrë të re mendimi dhe veprimi.”

“Gjej rastin të apeloj sot të gjithë aktorët politikë në vend, ata që janë mandatuar ose kanë zgjedhur të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, që në sjelljen e tyre politike dhe institucionale të dëshmojnë kurajo e përgjegjësi për të vendosur axhendën qytetare mbi çdo axhendë politike të ditës, dhe kështu, për të jetësuar në praktikë vlerat dhe parimet e demokracisë tek të cilat besojmë. Duke vepruar kështu politika vihet në funksion të qytetarëve dhe u shërben siç duhet interesave të vendit duke dëshmuar njëherësh respekt thelbësor për partneritetin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhënë Shqipërisë gjatë këtyre dy dekadave.”-përfundoi apelin e tij Presidenti i Republikës.